CDU-ja e Merkelit shënon rekord negativ në Hamburg - Gazeta Express
string(50) "cdu-ja-e-merkelit-shenon-rekord-negativ-ne-hamburg"

CDU-ja e Merkelit shënon rekord negativ në Hamburg

Gazeta Express

24/02/2020 8:11

Votuesit gjermanë ia dhanë CDU-së së Angela Merkelit rezultatin më të keq ndonjëherë në Hamburg, duke e ndëshkuar për flirtimin me të djathtën ekstreme në rajonin lindor dhe betejën e brendshme për udhëheqjen e partisë.

Në zgjedhjet e qytetit të dytë më të madh të Gjermanisë festuan Partia Socialdemokrate dhe Partia e Gjelbër, të cilat i zunë dy vendet e para. Kjo nënkupton se këto dy parti mund të vazhdojnë me koalicionin që e kanë në rajonin e pasur veriperëndimor, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Kristian-demokratët e Angela Merkelit shënuan rezultat të dobët në këto zgjedhje pasi kryetarja e partisë, Annegret Kramp-Karrenbauer njoftoi se do të japë dorëheqje nga ky post dhe se nuk do të kandidojë për kancelare të ardhshme të Gjermanisë, duke nxitur garë dhe përçarje brenda partisë në pushtet.

Partia e kancelares Merkel i mori vetëm 11.2 për qind të votave. Rezultat të dobët shënoi edhe partia e së djathtës ekstreme, AfD, me vetëm 5.3 për qind të votave, vetëm pak më shumë sesa pragu për t’u bërë pjesë e parlamentit.

Në lidhje me këtë rezultat, sekretari i CDU-së, Paul Ziemiak, tha: “Është një ditë e hidhur për CDU-në në Gjermani dhe një rezultat historikisht i keq në Hamburg.”

Angela Merkel, e cila gati që 15 vjet është kancelare e Gjermanisë, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme federale, të cilat pritet të mbahen në tetor të vitit të ardhshëm.