Cavani mund të kthehet në Itali


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 15:45

Edinson Cavani pritet të largohet nga Paris Saint-Germaini gjatë verës së ardhshme. Dhe, menaxheri i sulmuesit uruguaian nuk e ka përjashtuar mundësinë që klienti i tij të rikthehet në Itali

Edinson Cavani mund ta vazhdojë karrierën në futbollin italian, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi uruguaian sipas të gjitha gjasave është duke e kaluar sezonin e fundit në Paris Saint-Germain, prandaj ai po mendon qysh tash për të ardhmen e tij.

Menaxheri dhe njëkohësisht vëllai i tij, Walter Guglielmone, në një intervistë për “calcionapoli1926.it” nuk e ka përjashtuar mundësinë që sulmuesi uruguaian të rikthehet në Serie A.

“El Matador” i skadon kontrata në fund të sezonit, por nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet nga Parisi qysh në janar.

“Ka kontakte me klubet italiane, kurrë mos thuaj kurrë. Edi mund të luajë edhe së paku tri vjet në nivele të larta dhe mund të luajë në çfarëdo klubi të madh të Evropës”, ka thënë menaxheri i lojtarit.

Ditëve të fundit flitej se Cavani mund ta vazhdojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht në Los Angeles Galaxy, për ta zëvendësuar Zlatan Ibrahimovicin.

“Flitet gjithmonë, por për momentin nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk jemi shumë të preokupuar për vazhdimin e kontratës me PSG-në. Sigurisht, Edi do të ketë shumë mundësi dhe opsione, mbi të gjitha kur të jetë lojtar i lirë. Synim yni është që ai ta përfundojë kontratën me klubin aktual”, përfundoi vëllai i Cavanit.

Në Itali, ish-futbollistin e Palermos dhe Napolit e duan Interi dhe Juventusi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart