Caktohet orari i ndeshjeve të fazës preliminare në Ligën e Kampionëve në Prishtinë


Gazeta Express
12 Qershor 2019 21:55

Është caktuar orari i ndeshjeve të fazës preliminare për kualifikim në Ligën e Kampionëve, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Fadil Vokrri në Prishtinë, me Feronikelin, Lincoln Red Imps, SP Tre Penne dhe Santa Coloma që do të luftojnë për një vend në rundin e parë kualifikuese në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të edicionit të ardhshëm të garës elitare evropiane për klube.

Federata e Futbollit e Kosovës, e cila sivjet do të jetë mikpritëse dhe organizatore e ndeshjeve të rrethit preliminare të Ligës së Kampionëve, e ka arritur sot marrëveshjen me zyrtarët e UEFA-s rreth terminit të ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale të kësaj faze, raporton Gazeta Express.

“Zëvendëssekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti gjatë tërë ditës së sotme ka qenë në kontakt me zyrtarët e UEFA-s dhe në fund ka arritur akordin që klubit tonë kampion t’ia mundësojë ta zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale në orët e mbrëmjes, pasi fillimisht gjatë tërheqjes së shortit në selinë e UEFA-s ishte paraparë që ajo të luhet në orët e pasdites”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Dy ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohet të enjten më 25 qershor.

Ndeshja e parë gjysmëfinale ndërmjet SP Tre Penne nga San Marino dhe Santa Coloma nga Andorra do të zhvillohet prej orës 15:00, ndërsa ajo mes Feronikelit dhe Lincoln Red Imps nga Gjibraltari do të luhet nga ora 20:45.  

Ndërkohë, ndeshja finale ndërmjet fituesve të gjysmëfinaleve do të zhvillohet të premten e 28 qershorit, në orën 20:45.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Fituesi i këtij miniturneu kalon në rundin e parë kualifikues në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të edicionit të ardhshëm të garës elitare evropiane për klube./Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart