Bytyqi e gjen fajtorin për dështimin në PISA, eksperti i arsimit ia numëron arsyet tjera - Gazeta Express
string(87) "bytyci-e-gjen-fajtorin-per-deshtimin-ne-pisa-eksperti-i-arsimit-ia-numeron-arsyet-tjera"

Gazeta Express

03/12/2019 14:43

Bytyqi e gjen fajtorin për dështimin në PISA, eksperti i arsimit ia numëron arsyet tjera

Gazeta Express

03/12/2019 14:43

Kosova nuk ka shënuar përmirësim në rezultatet e testit PISA. Madje, në shkencë ka rënë edhe më poshtë, krahasuar me testin e para tri vitesh. Këtë vit, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi i listës me 79 vende të botës dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Më keq se Kosova janë vetëm Republika Dominikane dhe Filipinet, raporton Express

Por, këto rezultate po del të kenë qenë të pritshme për njohësit e arsimit.

Lexo Edhe:

Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, i ka thënë Gazetës Express se kanë pritur rezultate të tilla, meqenëse siç thotë nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për përmirësimin e gjendjes në arsim.

“Këto rezultate janë zhgënjyese, por janë edhe të pritshme duke marrë parasysh se nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për përmirësimin e gjendjes në arsim, posaçërisht me testin paraprak që është mbajtur në vitin 2015, e deri te testi që është mbajt në vitin 2018. Ka pasur vetëm hartime të planeve dhe disa ndryshime legjislative, por që nuk mund të japin efekte”, ka thënë Pupovci.

E përderisa, ministri Shyqiri Bytyqi fajin për këto rezultate ia la testit digjital, Pupovci nuk mendon njësoj. Njohësi i arsimit thotë se kjo formë e testit nuk i ka penguar nxënësit që të shënojnë rezultate në fushën e leximit dhe matematikës.

Sipas tij, problem mund të ketë qenë përmbajta e testit. Pupovci thotë se disa nga pyetjet nga fusha e arsimit që ai i ka lexuar kanë qenë mjaft të vështira për mënyrën se si punohet në shkollat e tona.

“Ndoshta problemi është që testi ka qenë më i vështirë edhe ka ardhë deri te përkeqësimi, sepse i njëjti efekt është edhe në shtetet tjera. Nuk ia kisha lanë fajin testi digjital, aq më pak Ministria ka organizuar përgatitje të veçanta për fëmijët dhe kjo gjeneratë janë rritur me kompjuterë, prandaj nuk besoj që nuk kanë pasë jo komoditet gjatë punës”, deklaron ai.

Pupovci ka folur edhe për hapat që duhet të merren për përmirësimin e kësaj gjendje, edhe pse thotë se rezultate të njëjta pret edhe në testin e vitit 2021.

Ai deklaron se duhet më shumë përqendrim në përmirësimin e gjendjes në sektorin e arsimit dhe jo në përmirësimin artificial të rezultateve të PISA-s.

“Për të përmirësuar gjendjen e arsimit, së pari duhet të ndërtohet një sistem i mirëfilltë i llogaridhënies nga shkolla e deri te nivelet më të larta të vendimmarrjes, pra duhet një zbatim konsekuent i ligjeve dhe politikave të aprovuara, por duhet edhe më shumë përkushtim dhe punë që kjo të arrihet. Nuk mjafton vetëm të sillen ligje, e të aprovohen strategji e ato pastaj të mos zbatohen”, thotë ai.

Pupovci thotë se mesazhi i të dy testeve të PISA-s është që leximit t’i kushtohet kujdes i veçantë, meqenëse kjo ndikon në mënyrë zinxhirore në të gjitha lëndët dhe në jetën e përditshme.

“Një mesazh që po na e jep PISA, si në vitin 2015 ashtu edhe në vitin 2018, është numri i madh fëmijëve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të shkathtësive të leximit, pra 78.7 % e nxënësve që kanë hy në test nuk e kanë arritur nivelin minimal të leximit, dhe kjo ndikon në mënyrë zinxhirore në të gjitha lëndët dhe në jetën e përditshme. Prandaj, ky është mesazh që leximit duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë që nga klasa e parë fillore”, ka thënë Pupovci për Express.

Ndërkohë, edhe ministri i Arsimit në detyrë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për media, ka thënë se kanë pritur rezultate më të mira.

“Ne kemi pritë të kemi një rezultat më të mirë, por nuk ka rezultate më të mira. Ne si Ministri kur kemi marrë mandatin, kemi bërë përpjekje për organizim sa më të mirë të këtij testi. Nuk janë ato rezultate që ne kishim dashtë me i pa sot. Kemi lëvizje pozitive në matematikë dhe në pjesën e leximit krahasuar me vitin 2015. Por, kemi rënie te shkenca”, ka thënë Bytyqi.

Për rezultatet negative në shkencë, Bytyqi ia la fajin testit digjital.

“Tani se cilat janë arsyet e këtyre rezultateve na duhet kohë që t’i analizojmë edhe raportet e secilës shkollë pjesëmarrëse dhe secilit nxënës. Ne kemi finalizuar një raport të përgjithshëm, që besojmë ta bëjmë publik gjatë javës. Në rezultatet në shkencë, ka ndikuar edhe pjesëmarrja për herë të parë në formë digjitale, krahasuar me Maqedoninë e cila nuk është futur në formë digjitale”, deklaroi Bytyqi.

Ndryshe, programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”.

Vendi ynë ka marrë pjesë në këtë test dy herë, derisa edhe në vitin 2015 ishte renditur e treta për nga fundi i tabelës.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365. Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378. /Gazeta Express