By Pass-i i Fierit rrezik për drejtuesit e mjeteve


Gazeta Express
22 Korrik 2019 15:20

Hapja e pjesshme e By Passit të Fierit nga ministria e Transporteve pa përfunduar plotësisht punimet ka ndikuar në rritjen e aksidenteve.

Drejtori i Policisë së Fierit thotë se shkak është bërë mungesa e sinjalistikës dhe punimet që vijojnë.

Drejtori i Policisë së Fierit: “Ka shtuar një pjesë të aksidenteve sepse duke qenë se është hapur rishtazi dhe një pjesë e rrugëve nuk janë të sistemuara siç duhet. Janë disa kalime që kanë krijuar probleme të kësaj natyre.”

Ndërkohë hapja përfundimtare e rrugës Tiranë-Elbasan, është kthyer në rrugën që shpëton një pjesë të kryeqytetasve nga trafiku kur kërkojnë të udhëtojnë drejt plazheve të jugut. Por ky shtim i lëvizjes për policinë e Elbasanit ka bërë të rrezikshëm rrugën drejt Peqinit.

Policia: “Drejtuesit e mjeteve që vijnë në përgjithësi nga jugu i Shqipërisë preferojnë të hyjnë në Tiranë nëpërmjet tunelit të Kërrabës.”

Në Qarkun e Gjirokastrës, ndërkohë, pika problematike të qarkullimit gjatë sezonit turistik mbeten uji i ftohtë dhe rruga drejt Kakavijës, ku policia ka shtuar kontrollet.

Parakalimet e gabuara, përdorimi i celularit dhe alkoolit në drejtimin e mjeteve mbeten shkaqet kryesore të aksidenteve këtë verë

Policia: “Mosvendosja e rripit të sigurimit, e kaskës mbrojtëse dhe përdorimi i celularit që është kthyer në burim të madh aksidentesh.”

Sfidë për policinë rrugore mbetet menaxhimi i fluksit të lëvizjes kryesisht gjatë fundjavës, kur lëvizja rritet kryesisht drejt zonave turistike./Ora

Te fundit


Kthehu lart