Buzaku: Sulejman Rexhepi gjithmonë pozitën e tij e ka mbajtur me forcë dhe frikë


Gazeta Express
14 Maj 2019 11:42

Për Komisionin për marrëdhënie me bashkësitë fetare, kryetar legjitim i Bashkësisë Fetare Islame vazhdon të jetë Sulejman Rexhepi, derisa nuk përfundon procesi gjyqësor, thotë njeriu i parë i Komisionit, Darijan Sotirovski.

Edhe pse, sipas tij, është pak e çuditshme që në “Gazetën Zyrtare” është publikuar vendimi i Gjykatës Themelore – Shkupi 2, në të cilin thuhet se pas shkarkimit të Sulejman Rexhepit, për shef të ri të BFI-së është emëruar Skender Buzaku, megjithatë, siç pohon Sotirovski, Buzaku nuk ka vendim të plotfuqishëm, prandaj nuk mund të komunikojnë me të si kryetar. Ai pret që së shpejti të zbardhet rasti në fjalë.

“Motivimi im është që ky rast të zbardhet në mënyrë ligjore, sepse Komisioni ishte pjesë e atyre që ishin përmendur lidhur me hyrjen dhe tentimin për çfarëdo lloj ndryshimi në BFI. Ky as nuk është, e as nuk do të jetë qëllimi ynë. Ne e respektojmë BFI-në. Ai është faktor serioz dhe partner i shtetit me shekuj të tërë. Unë edhe njëherë apeloj që edhe Prokuroria Publike, edhe gjyqësori tërësisht ta zgjidhin rastin në fjalë”, theksoi Darijan Sotirovski, Komisioni për Bashkësi Fetare.

Epilog gjyqësor është duke pritur edhe vetë Skender Buzaku, i cili thotë se ende nuk i është lejuar të hyjë në hapësirat e BFI-së. Është i bindur se argumentet janë në anën e tij dhe së shpejti rasti do të përfundojë. Thotë se dorëheqja origjinale e Rexhepit, tanimë është dorëzuar në Gjykatë.

“Ai njeri gjithmonë pozitën e tij e ka mbajtur me grupe dhe me forcë. Përveç se hamendet dhe tani nuk e pranon dorëheqjen, i frikëson edhe anëtarët e Riasestit të Bashkësisë Fetare Islame. Rruga ime është institucionale dhe nëse ai nuk tërhiqet, unë do t’i përdor të gjithë hapat e mundshëm, derisa BFI-ja nuk lirohet nga njerëzit që nuk janë legjitim”, u shpreh Skender Buzaku.

Sulejman Rexhepin ende po e presin në Prokurorinë Publike lidhur me deklaratën e tij “se dëshiron që gjykatësja të vdesë dhe se maqedonasit janë egërsira të pashembullta dhe se nuk kanë identitet”, por asnjëherë nuk është paraqitur, thonë nga Prokuroria për TV21.

“Po ndërmerren hetime për këtë rast. Ai ishte thirrur dy herë, por ende nuk është paraqitur. Tani sërish është dërguar ftesë e re që të paraqitet kah mesi i muajit, por në ndërkohë do të ndërmerren edhe veprime të tjera, që janë pjesë e hetimit për zbardhjen e ngjarjes”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga ana tjetër, nga BFI-ja thonë se kanë avokat të vet dhe se ai është paraqitur gjithmonë kur pa pasur ftesë.

“Kjo çështje ende është në procedurë, e cila është e fshehtë. Avokati ynë shkon çdo herë kur merr thirrje nga Prokuroria”, potencoi Muzemil Osmani, zëdhënës i Bashkësisë Fetare Islame.

Ndryshe, ngjarjet me BFI-në ndodhën në mesin e muajit të kaluar, kur Buzaku, duke u thirrur në vendimin e Gjykatës dhe dorëheqjen e Rexhepit e shpalli veten kryetar. Vendimi i ankimua në Gjykatën e Apelit, por ende pritet për vendim përfundimtar.

Te fundit


Kthehu lart