Bushati flet për VOA: Lajmet për mua si kreu i VV’së një tollovi, nuk iki nga PS


Gazeta Express
5 Shtator 2019 18:48

Ish-ministri dhe njëkohësisht anëtar i PS’së në Shqipëri, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se lajmet për të si kreu i VV’së në Tiranë i ka quajtur veç një tollovi dhe se ka mohuar largimit e tij nga PS.

Bushati: Shkodra leksion politik, të hapet gara në parti, të përfshijmë anëtarësinë dhe komunitetet lokale në vendimmarrje.

Bushati: Integrimi në BE dhe Presidenca e OSBE kërkojnë vullnet politik mbipartiak.

Bushati: Dekriminalizimi: Integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht.

Zëri i Amerikës: Javën e shkuar në mbledhjen e kryesisë së PS-së ju patët një debat me kryeministrin Rama lidhur me zhvillimet në Shkodër dhe veçanërisht për rastin e zoti Valdrin Pjetri, kandidat i PS, i cili u zgjodh në krye të Bashkisë, por më pas u detyrua të tërhiqet, kur u zbulua se kishte fshehur një pjesë të së kaluarës së tij. PS nga ana e saj ka folur për një çështje individuale, ndërkohë që ju në deklaratat tuaja pas mbledhjes së kryesisë u shprehët se keni arritur në pikën e derdhjes dhe se ky fenomen i cili duhet trajtuar në mënyrën rrënjësore. Për çfarë e kishit fjalën? Ju folët dhe për një reformë politike për të trajtuar këtë situatë?

Ditmir Bushati: Është e rëndësishme fillimisht që të ndajmë përgjegjësinë ligjore e cila në çdo rast është individuale për çdo person që ka shkelur ligjin dhe çdo person duhet të përballet me drejtësinë, me përgjegjësinë politike që ne e kemi si politikan dhe si forcë politike. Besoj se ne, jo vetëm duhet të njohim përgjegjësinë politike në raste të tilla, por edhe ta ushtrojmë atë. Përgjegjësia politike në këtë rast mund të ushtrohet përmes një reformë politike, që do  të sillte në qendër të vendimmarrjeve tona, anëtarin  e PS-së. Nga eksperienca ime politike dhe në drejtim të qarkut Shkodër, kam kuptuar që disa vendimmarrje është me rëndësi që t’ua besojmë komuniteteve. Është me rëndësi që t’ia besojmë bazës së partisë, në mënyrë që të sigurojmë që kemi zgjedhur personat e duhur dhe në mënyrë që gara që duhet të zhvillohet brenda radhëve të Partisë Socialiste në këtë rast, të sjellë jo vetëm ofertën më të mirë politikë, programatike, shoqëruar me një vizion përkatës, por t’i krijojë mundësi në radhë të parë anëtarësisë së PS-së dhe më pas komuniteteve lokale për të ushtruar një mbikëqyrje më të madhe në lidhje me integritetin e çdo kandidati që synon që të ketë një karrierë politike. Tek e fundit, ne nuk po shpikim rrotën dhe nuk kemi pse. Mjafton të shohim ç’po ndodh me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (bota i njeh si primare), apo në vende të tjera rreth e përqark nesh, para pak kohësh në Itali apo Francë, ku kandidatët që synojnë për të marrë apo ushtruar përgjegjësi politike dhe publike në fazën më të hershme të këtij procesi i nënshtrohen jo vetëm garës brenda partisë, por edhe një lloj mbikëqyrje që është shumë e rreptë, ndonjëherë dhe e pamëshirshme që vjen nga komuniteti. Kjo do të na bënte që të ndërtonim një sistem imunitar brenda radhëve tona, por nga ana tjetër do jepnim një shembull më të mirë, sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Partia Socialiste është një forcë që e ka kapacitetin për tu vetkorrigjuar. Ka energjinë dhe burimet njerëzore për të qenë forcë e ndryshimit dhe çdo garë brenda nesh do duhej të zhvillohej duke respektuar librin e rregullave të shtëpisë tonë, sistemin e meritës, të vlerës dhe natyrisht duke iu ofruar komuniteteve modele më të mira.

Zëri i Amerikës: Z. Bushati po në të njëjtën deklaratë ju folët për njerëz me të kaluar të dyshimtë të cilët janë përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste, veprim për të cilin keni marrë përshëndetje nga SHBA për njerëz që po nga SHBA janë shpallur persona “non grata”. Megjithatë ju theksuat se disa prej këtyre personave janë rikthyer në tryezat vendimmarrëse të PS. Si ka mundësi që pas disa viteve debat të fortë për çështje të dekriminalizimit nuk kemi asnjë prej këtyre personave të ndëshkuar nga drejtësia?

Ditmir Bushati: Ne kemi përgjegjësinë e madhe para qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, në radhë të parë, për të vendosur një kordon sanitar dhe për ta luftuar në mënyrë agresive këtë fenomen. Tek e fundit kemi miratuar një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, kemi miratuar një ligj të posaçëm pikërisht për të frenuar një fenomen të tillë. Ne jemi politikan dhe është shumë e rëndësishme që të nxjerrim mësime konkrete dhe të shpalosin një vullnet politik të qartë për t’u distancuar njëherë e mirë nga ky fenomen. Nga ana tjetër, fakti që ju sapo përmendet, nxjerr në dritë një të vërtetë të hidhur që në vitet e shkuara askush nuk është trajtuar nga drejtësia në lidhje me këtë fenomen dhe përsa kohë ne flasim gjithë ditën për reformën në drejtësi është e rëndësishme që reforma në drejtësi të zhvillohet paralelisht me një luftë pa kompromis kundër, jo thjeshtë personave me të shkuar të dyshimtë, por edhe çdo lloj influence që mund të vijë nga këto persona në vendimmarrjen në jetën publike. Integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimi për ta parë një gjë të tillë nuk është assesi katastrofë partiake por nuk do të ngurroja ta quaja katastrofë shtetërore.

Te fundit


Kthehu lart