Bushaj synon formacionin bazë te Hajduku dhe ëndërron një klub të madh evropian


Moral Pozhegu
22 Korrik 2019 14:17

Mark Bushaj ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Hajduk Splitin. Talenti i madh kosovar synon ta sigurojë një vend titullari në ekipin e parë të gjigantit kroat dhe më pas ëndërron të transferohet në ndonjë klub të madh evropian

Futbollit kroat ditë më parë iu shtua edhe një talent i madh kosovar, shkruan Gazeta Express.

Bëhet fjalë për futbollistin gjakovar, Mark Bushaj, i cili nënshkroi kontratë zyrtare me gjigantin kroat, Hajduk Split.

“Sot zyrtarisht jam bërë lojtar i klubit futbollistik Hajduk Split. Falënderoj familjen time për mbështetjen që e kam prej tyre gjithmonë, e gjithashtu edhe menaxherin tim, Enver Raça, i cili ma ka mundësuar të jem këtu ku jam sot. Por, falënderimi më i madh i takon Zotit për talentin dhe vullnetin që kam”, kishte shkruar pak ditë më parë Bushaj.

Ai ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Hajdukun, me mundësi vazhdimi.

Bushaj, në një bisedë me “Gazetën Express” i ka treguar synimet që ka në klubin kroat, por edhe në përgjithësi në karrierë.

“Do të kem angazhim maksimal për të arritur në formacionin bazë në Hajduk Split, duke menduar ndërkohë që ta tërheq vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane”, ka thënë futbollisti ofanziv, i cili është vëllai i vogël i futbollistit tjetër të njohur kosovar, Gjergj Bushaj.

18 vjeçari ka luajtur për ekipin e të rinjve të Vëllaznimit, ndërsa më herët ka qenë i grumbulluar edhe me grupmoshat e Përfaqësueses së Kosovës, ku edhe u dallua me talentin e tij të jashtëzakonshëm. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart