Burrneshat e koloseumit shqiptar - Gazeta Express
string(32) "burrneshat-e-koloseumit-shqiptar"

Burrneshat e koloseumit shqiptar

Arte

Gazeta Express

11/05/2022 14:54

Mbrëmë, më 10 maj, në teatrin Oda u dha premiera e shfaqjes Burrneshat, me tekst Jeton Nezirajt dhe regji të Erson Zymberit

Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Personazhet: Sose (virgjëreshë e përbetuar shqiptare), Edith (antropologe nga Londra), Julian (transvestit, regjisor nga teatri nga Londra), Sose (Tringa Hasani), Edith (Semira Latifi), Julian (Kushtrim Qerimi).

Drama e një realiteti të kohës e vendosur mes të tashmes dhe të kaluarës erdhi në Teatrin Oda si premierë këtë të marte, më 10 maj.

Publiku ishte i ndarë në dysh dhe shfaqja, e cila jepej si në pasarelë mode, i dha një tjetër shije publikut kosovar, i cili dita ditës po i kushton rëndësi më të madhe jetës teatrale.

Tre aktorë, dy gra dhe një burrë e përcollën tek publiku idenë e autorit, idenë e grave burrnesha që thuhet se kanë qenë të pranishme në viset e Shqipërisë, më konkretisht në Malësinë e Mbishkodrës.

Shfaqja hapet me ligjëratën e një profesoreshe, e cila rrëfen para studenteve të saj për jetën e disa grave në Shqipëri që betohen se nuk do të martohen kurrë, nuk do të kenë kurrë marrëdhënie seksuale me askënd dhe gjithë jetën e tyre do ta jetojnë si burra.

Ky betim do të thyhet që në fillim të shfaqjes, jo pse do të duhej të ishte ashtu, por sepse publiku dëshiron të shohë atë grua së paku veç një herë në rolin e saj, në dëshirën e saj, në shfrenimin e saj, dhe kjo ndodh.

Burrnesha prezantohet para një profesoreshe, para një të huaji (britaniku) ashtu siç e thërret ligji e kanuni, ashtu siç e do tradita. Ajo është e pathyeshme, tamam një burrneshë që nuk i trembet syri, që ka hequr dorë nga gjithçka që e bën grua, që i është dorëzuar fatit për t’i treguar fisit e rrethit që është e denjë dhe morali është kapaku i krenarisë edhe pse nuk e dinë nëse ajo dëshiron të ndihet krenare në atë pikë sepse çka dëshiron ajo s’ka e s’duhet të ketë rendësi në atë shoqëri. Jo në viset ku ajo jeton, jo në familjen e saj, ajo është e destinuar për t’i kënaqur apetitet e të tjerëve, dëshirat e të tjerëve, ta ruajë “moralin e saj”.

Britaniku (Kushtrim Qerimi) personifikon, të tashmen, showmenin, modernen, materialen e nga pak edhe revolucionarin. Ai është i tunduar nga historia e burrneshës e pa qare kjo histori duhet të vihet në teatër, njerëzit do të jenë të interesuar të shohin diçka të tillë, të pabesueshme e gati edhe skllavërore. Për të rrëfimi i burrneshës, dalja në skenë e saj, do të argëtojë masën, njëjtë siç gladiatorët argëtonin aristokratët dhe masën në koloseume.

Burrnesha do të rrëfejë gjithçka në skenë, por të gënjejë se e ka vrarë dikë vite me parë, në mënyrë qe historia e saj të duket më tunduese këtë nuk do ta bëjë, sepse nuk është e vërtetë, sepse kanuni nuk e lejon të gënjejë.

Një shoqëri e cila i jep kaq shumë rëndësi gënjeshtrës kur flitet për vrasjen, ama që nuk i bëhet vonë për gënjeshtrën e një gruaje që po jeton jetën e një burri. Të gjithë e duartrokasin për gënjeshtrën në të cilën po jeton, të gjithë e duartrokasin për sakrificën që ata nuk e njohin, për jetën e dyzuar të një viktime të tyre.

Burrnesha ka pikat e saj kur thyhet, nuk mundet ta mohojë që cikli menstrual e dobëson si gjithë gratë e tjera, se thellë në veten e saj është duke fjetur epshi seksual që ajo nuk guxon ta ndajë me tjetrin. Burrnesha ka pikat e saj kur është veç një burrec.

Profesoresha do ta thyejë, do t’i tregojë që në Angli jeta e saj do të ishte siç duhej të ishte dhe se rrethi i saj shoqëror po ia vriste çdo dëshirë për jetë. Momenti i shpërthimit seksual në skenë është goxha i ndjeshëm, një grua që thyhet nga një grua, një burrneshë që i jepet dikujt, thyhet nga dikush, shkel “krenarinë” e “moralin” me të dyja këmbët. Pastaj veç për një natë ajo jeton.

Jeta e saj do t’i kthehet reales ose thënë më mirë imagjinares që tjerët e kanë krijuar për të, pas disa ditësh, të nesërmen, pasnesërmen ose që në atë moment.

Burrnesha kishte plotë në Shqipëri, një e fundit që ka mbet do të argëtojë anglezet, turmën, aristokratët.

Krejt në fund britaniku që kishte dashur ta përdor si objekt talljeje, objekt interesant që argëton tjerët kthehet në Shqipëri për t’i kërkuar të falur dhe për t’i thënë që është i mahnitur nga krenaria e saj dhe siguria që ka në fund sepse siç thotë ai : “Mua më kanë shkërdhyer të gjithë dhe kurrë s’kam pasur guximin t’u them jo”.

Burrnesha është një dramë e luajtur mes dy mentalitetesh që nuk puthiten askund por që i ndihmojnë njëra-tjetrës për ta shikuar jetën nga kënde të ndryshme. Është dramë e guximshme që i vendos në një vijë shumë të ngjashme dy dëshira jetësh të dy popujve, por që i ndan menjëherë në mentalitetin e secilit.

Shfaqja nuk është veç thumbim për patriarkatin është shpërfaqje e një mentaliteti të dobësuar grash për t’u ngritur kundër tij.

Tirqit, vallëzime burrash, këngë malësore e qilimi tradicional i odave e përforcojnë idenë e autorit për të përçuar diçka autentike, diçka që syri i publikut shqiptar është mësuar të shohë.

Mbase nuk është poenta veç tek burrnesha, mbase jeta e trilluar në të cilën jeton një grua nuk ka të bëjë veç me te qenit burrë, sepse thellë-thellë secili prej nesh e di që në trojet shqipfolëse njerëzit në shumë raste detyrohen të jetojnë sipas dëshirës se shoqërisë, të sakrifikohen për shoqërinë e ta “argëtojnë” masën si në koloseum.

/Gazeta Express