Burg përjetë autorit të masakrës së Matit. Familja e braktis, gruaja e djemtë largohen nga fshati


Gazeta Express
18 Qershor 2019 9:07

Nën masa të forta sigurie është zhvilluar gjyqi ndaj Kujtim Koxhës, i akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e dy punonjësve të Bashkisë Mat, si dhe bashkëfshatarin e tij, Hamit Bucin.

Kujtim-Koxha-masakra-mat-e1539602164490

Dy mjete të blinduara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe efektivë të Komisariatit të Matit kishin rrethuar godinën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat.

Por as familjarë të Kujtim Koxhës dhe as të tre viktimave nuk e kanë ndjekur seancën e fundit gjyqësore ndaj tij.

Të parët, prej muajsh e kanë braktisur Koxhën, ndërsa familjarët e viktimave kanë zgjedhur heshtjen pas masakrës së ndodhur në qendër të fshatit Shëlli. Organi i Akuzës argumentoi para trupit gjykues së shtetasi Kujtim Koxha, 55 vjeç, lindur e banues në fshatin Shëlli të Njësisë Administrative Macukull, ka qëlluar me breshëri plumbash mbi punonjësit e Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale të Bashkisë Mat, duke shkaktuar tre viktima: Mentor Hoxha, 35 vjeç, banues në fshatin Lis; Erzen Aliaj, 49 vjeç, banues në fshatin Zenisht; si dhe Hamit Buci, 38 vjeç, banor i fshatit Shëlli.

Prokuroria e Matit ka faktuar me prova e fakte se autori i ngjarjes është shtetasi Kujtim Koxha. Në cilësinë e provës materiale u paraqit arma e krimit, një automatik model 56, rroba të të vrarëve, gëzhojat e armës etj.. “Afro 10 punonjës të Bashkisë Mat, së bashku me kryetarin e fshatit, F.Karrosi, kanë debatuar me shtetasin Kujtim Koxha pak minuta para ngjarjes.

Autori pretendon se është qëlluar me shuplakë dhe është fyer rëndë nga punonjësit e bashkisë. Ai duke u larguar drejt banesës u ka thënë punonjësve të bashkisë: ‘Nëse jeni burra, më prisni këtu’. Ka vajtur në shtëpi, ka rrëmbyer armën që mbante në banesë pa lejen e autoriteteve shtetërore dhe është kthyer në qendër të fshatit, në lokalin e vëllait të kryetarit të fshatit. Në momentin që ka mbërrit te dera e lokalit ka nxjerrë nga thesi armën dhe pasi e ka futur tytën brenda, ka qëlluar me breshëri”, thuhet në konkluzionet e Prokurorisë së Matit.

Nga të shtënat ka mbetur i vdekur në vend Erzen Aliaj, njëri nga manovratorët e mjeteve të bashkisë, që punonin për mirëmbajtjen e rrugëve të fshatit Shëlli. Ndërkohë, të plagosurit Mentor Hoxha e Hamit Buci janë dërguar shpejt drejt spitalit “Xhavit Mara”, por gjatë transportimit kanë humbur jetën. Pak orë pas masakrës, disa kilometra larg vendit të ngjarjes autori është dorëzuar.

Ai i tha Policisë në momentin e arrestimit se nuk e kishte duruar dot sjelljen e punonjësve të bashkisë, sidomos në prani të bashkëfshatarëve të tij.

“Më goditën dhe më shanë. Unë thjesht u kërkova numrin e kryetarit të bashkisë, Nezir Rizvanit, pasi doja të flisja me të për rrugën e lagjes sime. Njëri nga punonjësit më goditi në fytyrë dhe tjetri më shau rëndë. Nuk e durova turpin”, janë disa nga fjalët e Kujtim Koxhës. Po nën masa të forta sigurie, Koxha u transportua drejt burgut të Tiranës pas vendimit, atje ku është vendosur muaj më parë.

PANORAMA

Te fundit


Kthehu lart