Bulliqi i përgjigjet Mustafës, i kërkon përgjigje për takimin me malazezët në Shkodër


Gazeta Express
21 Mars 2019 18:50

Kryetari i Komisioni Shtetëror për rishikimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, i është përgjigjur shefit të tij të partisë, ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Në një prononcim të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se ka “lexuar deklaratën e ish-kryeministrit Mustafa, i cili në njëvjetorin e ratifikimit të marrëveshjes se Delimitacionit / ”Demarkacionit” me Malin e Zi, paska grumbulluar energji që të akuzojë shumë personalitete që ishin kundër kësaj Marrëveshje për vijën kufitare me Malin e Zi, nder tjerë edhe ndaj meje”.

“Fillimisht dua t’ia përsëris edhe njëherë z. Mustafa se unë personalisht kam qenë dhe ende jam kundër ratifikimit të asaj Marrëveshje të dëmshme për integritetin territorial të vendit. Ndërsa, me ketë, nuk dua ta fajësoj, e as akuzoj asnjë deputet që ju se bashku me partnerin tuaj i detyruat ta votojnë të njëjtën marrëveshje”, ka shkruar Bulliqi.

“Më këto veprime ju dhe ata me vetëdije e cenuat një pjesë integrale të territorit të shtetit duke i vendosur deputetet dhe Kosovën para aktit të kryer vetëm e vetëm që ta ruani interesin tuaj për dallim nga ne, që i vumë anësh të gjitha interesat personale, në të mire të shtetit dhe integritetit të tij”, ka thënë më tej ai.

Ndërsa sa i përket pyetjes se ku mbetën territoret në fjalë, Bulliqi ka thënë se ka këtë përgjigje.

“Çakorri dhe Kulla e Zhlebit janë aty ku kanë qenë gjithë, por më një pronar të ri, shtetin Malazez. Ndërsa ju dhe partneret tuaj, vetëm vijën kufitare të vitit 1945/46 e keni ndryshuar duke e sjellur më në brendi të Kosovës, bashkë më komisionin paraprak dhe me “Ekspertët Tuaj”.
Si qytetar i Kosovës kam pasur për obligim që ta informoj në atë kohe, ish kryeministrin për gabimet e bëra në atë proces, madje me kohë ende pa u ratifikuar nga asnjëra palë, duke ja ofruar të gjitha dëshmitë madje edhe atë kontrollit efektiv të atij territori historikisht nga Kosova, si një ndër parime kryesore të aprovuara edhe nga GJND-ja”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka thënë se në raportin e hartuar me vonë dhe të publikuar lidhur me punën e ish-komisionit, Komisioni i ri ka dhënë një mori materialesh faktografike që vërtetojnë se vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka qenë pikërisht në Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit që nga delimitimi i vitit 1945/46 mes njësive federale në ish-Jugosllavi, ndërsa që ju me partneret tuaj ju kujtoj me 80 vota të deputetëve të parlamentit e sollët këtu ku keni vajtuar gjatë kohë ta keni.

“Është mirë që ju z. Mustafa, për hir të opinionit publik të jepni përgjigje edhe lidhur më takimin e Shkodrës, për të cilin asnjëherë deri me sot nuk u deklaruat se çka diskutuat me malazezet aty, shtrohet pyetja PSE?
Nëse veç paska qenë kushti i cenimit të integritetit territorial të Kosovës për liberalizim vizash dhe votim i demarkacioni ju e arritët ketë synim, mirëpo perse tani ju si klase politike nuk e arritët ketë proces liberalizimi?,
madje të gjithë ata të cilët në atë kohë kritikonin për mos liberalizim të vizave më vonë dolën pro korrigjimit të kufirit më Serbi, madje edhe duke deklarua se nuk na nevojitet veriu i vendit”, ka thënë Bulliqi. “Tash ju po e kundërshtoni atë ide sikurse edhe unë dhe tjerët që vazhdimisht kemi kundërshtuar shkëputjen e territorit të Kosovës, por dallimi qëndron se unë, kam konsistencë në qëndrime, ndërsa ju mbani qëndrim varësisht nga pozita që keni. Tani kur të gjitha këto dëme iu benë Kosovës nga reliktet e sistemit të vjetër, madje edhe më veprimtari të dyshimta personale, disa mundoheni ta pastroni emrin nga demi i madh që i bëtë vendit dhe ta hidhni gurin diku tjetër. Por mos harroni populli i di të gjitha, dhe as ju e as ata të tjerët nuk do mund t’i mbuloni gjurmët tuaja. Në pozitën që jam, i angazhuar se bashku me bashkëpunëtorë po punojmë pa reshtur për nevoja të Qeverisë se vendit që me argumente faktografike të tregojmë dhe mbrojmë vijën kufitare të Kosovës me vendet fqinje, aktualisht edhe atë me Serbinë”, ka shtuar më tej.

Në fund, Buliiqi ka thënë se “ju siguroj se unë për hatër të askujt nuk bëj veprime/lëshime në dëme të integritetit të vendit, as dje, as sot dhe as nesër, besa as nuk ju nënshtrohem asnjë presioni pa marr parasysh se vjen ai, sidomos të atyre që gjithmonë zgjidhjen e kontesteve e bëjnë në dëme të Kosovës”.

Te fundit


Kthehu lart