Bullgaria ka regjistruar shifra rekorde të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19 përderisa vala e katërt e virusit po e sfidon seriozisht sistemin shëndetësor në shtetin me shkallën më të ulët të vaksinimit në BE.
Sipas të dhënave zyrtare, Bullgaria në 24 orët e fundit ka regjistruar 5.863 raste të reja me Covid-19 dhe 243 të vdekur. Shifra e përgjithshme e viktimave ka shkuar në 23.316 shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
I përballur me rritje të rasteve e i zemëruar nga shkalla e ulët e vaksinimit, shteti ballkanik me rreth shtatë milionë banorë i ka bërë të detyrueshme pasaportat shëndetësore për shumicën e hapësirave të mbyllura publike.
Raportohet se masat e reja kufizuese kanë nxitur protesta dhe disa parti politike e kanë akuzuar qeverinë e përkohshme se po dështon që ta menaxhojë pandeminë para zgjedhjeve parlamentare të 14 nëntorit.
Autoritetet shëndetësorë kanë paralajmëruar se dështimi për ta ngadalësuar valën e re të sëmundjes mund të sjellë kufizime më të ashpra, pasi spitalet po e kanë të vështirë që të trajtojnë më shumë pacientë me Covid-19.
Të martën, mbi 7.100 pacientë po trajtohen në spitalet e Bullgarisë shkaku i Covid-19. 608 prej tyre janë në kujdes intensiv. Sipas të dhënave, mbi 90 për qind e pacientëve janë persona të pavaksinuar.