‘Buffi’ do t’i mësojë fëmijëve të kthyer nga kampet e ISIS-it historinë shqiptare, tregon për Express për iniciativën e tij


Gazeta Express
24 Prill 2019 18:45

Aktori kosovar Fatmir Spahiu ka lajmëruar se ai do të angazhohet si aktor për t’i ndihmuar fëmijët e kthyer nga kampet e ISIS.

Edhe njëherë aktori dhe komediani shumë i dashur për publikun, Fatmir Spahiu apo siç njihet me Buffi, ka treguar zemërgjerësinë e tij.

Fatmiri dëshiron që të paktën një ditë të angazhohet vullnetarisht si aktor dhe të merret me fëmijët që sapo u kthyen nga Siria në vendin e tyre, shkruan Gazeta Express.

Aktori ka bërë një postim mjaft interesant në rrjetin e tij Facebook, që ka të bëjë me ngjarjet e fundit në vendin tonë.

Ai ka shkruar se dëshiron të angazhohet si aktor me këta fëmijë, duke u munduar që përjetimet që i kaluan në atë vend t’i kujtojnë vetëm si një ëndërr të keqe.

Ai gjithashtu ka shkruar se “nuk do të ishte keq të ju lexonim fëmijëve ndonjë vepër nga Kadare, Qosja, Podrimja, Kukaj etj. Do të ishte mirë që të ju flisnim për Nënë  Terezën e Mulla Idrizin’.

E për këtë temë në një prononcim për Gazetën Express, Fatmiri ka thënë se ky është një aktivitet i radhës që ai ka ndërmarrë.

Unë kam disa aktivitete, çoftë të organizuara çoftë private dhe kurrë nuk flas për to. Këtë e bona si status që jam i gatshëm për dy arsye: e para me tregu se ata fëmijë janë të këtij vendi dhe se ne duhemi me u marr me ta si shoqëri e jo me i sigmatizu”, ka thënë Fatmiri për Gazetën Express.

Duke mos pasur dëshirë të flasë për aktivitetet e tij humane, Fatmiri ka insistuar se me të vërtetë me dëshirë e kënaqësi do t’i vizitojë një ditë këta fëmijë që kanë përjetuar gjëra aspak të këndshme larg atdheut.

Dëshira e tij është që fëmijët ta kuptojnë se ata i takojnë një populli tolerant dhe me zemër të madhe.

Presim që në ditët në vazhdim të shohim se si do t’i shkojë aktorit kjo iniciativë ndërsa ne e përkrahim për çdo organizim të tillë./Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart