Brazili shënon rekord të viktimave të koronavirusit për 24 orë - Gazeta Express

Brazili shënon rekord të viktimave të koronavirusit për 24 orë

Lajme

Gazeta Express

03/06/2020 11:30

Numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Brazil ka shkuar në mbi 30,000  pas shtimit të vazhdueshëm të rasteve të reja.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të kaluara në Brazil nga koronavirusi kanë vdekur 1,262 persona si dhe janë shënuar 28,936 raste të infektimeve, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Këto shifra u publikuan në kohën kur disa rajone braziliane filluan t’i largojë masat kufizuese pavarësisht paralajmërimit të epidemiologëve dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Brazil ka shkuar në mbi 555,000, që do të thotë se ky shtet është i dyti në botë për më së shumti raste, pas Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë shifra e viktimave ka shkuar në 31,199, duke e vendosur Brazilin në vendin e katërt në botë me më së shumti raste fatale, pas Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Italisë.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, vazhdimisht është përplasur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe udhëheqësit rajonalë në lidhje me menaxhimin e pandemisë, duke kërkuar që masat e kufizimit të largohen për shkak të dëmtimit të ekonomisë.