Brahim Qorri në një rrëfim të rrallë për Gani Gecin, Sabit Gecin, Xhavit Halitin dhe vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Gazeta Express
string(109) "brahim-qorri-ne-nje-rrefimi-te-rralle-per-gani-gecin-sabit-gecin-xhavit-halitin-dhe-vrasjen-e-ruzhdi-shaqirit"

Brahim Qorri në një rrëfim të rrallë për Gani Gecin, Sabit Gecin, Xhavit Halitin dhe vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Gazeta Express

08/01/2020 7:12

Sabit Geci, ish-komandanti i UÇK-së, si i ftuar mbrëmë në Zona B të Klan Kosovës, e ka përmendur emrin e Brahim Qorrit me të cilin kishte mosmarrëveshje për shkak të një bisede telefonike që ky i fundit e kishte bërë nga burgu me Gani Gecin ku përmendej edhe emri i tij.

Megjithatë, Sabit Geci tha se e ka falur Brahim Qorrin për shkak se i është dhimbsur pasi ai ia kishte treguar arsyen pse kishte pranuar ta bënte atë bisedë.

Lexo Edhe:

Sonte, Brahim Qorri ka treguar versionin e tij të gjithë kësaj historie në një rrëfim të rrallë në Zona B të Klan Kosovës.

Fillimisht, ai ka treguar se si njihet me Sabit Gecin.

“Unë njihem me Sabitin [Gecin], sepse ne jemi edhe familjarë. Unë e kam dajë të babait. Derisa kam kontaktuar me Ganiun [Gecin] sa kam qenë në Çeki, ne kurrë s’kemi pasë probleme”.

Ish-luftëtari i UÇK-së, Brahim Qorri, ka folur për atentatin që i është bërë Ruzhdi Shaqirit – të cilin ai e kishte shumë të afërt – duke thënë se ka informacione për këtë rast dhe se ka dëshmitarë të cilët nuk e kanë treguar të vërtetën.

“Mua Ganiu [Geci] më ka thënë që kur i ka ndodhur tentim-atentati në Llaushë që e ka akuzuar Sabitin [Gecin] dhe Ruzhdinë [Shaqirin] për atentatin – që nuk janë të vërteta”.

“Unë e di për atë rast kur ka ndodhur, sepse Ruzhdi Shaqiri ka qenë në Drenas. Ka dëshmitarë të gjallë, por nuk do t’i përmend publikisht sepse shkon Ganiu [Geci] dhe i shantazhon, ashtu qysh i ka shantazhuar në kafe pasi e ka vrarë tezakun”.

“Lati nga Prekazi ka qenë prezent kur ka ndodhur vrasja. Ruzhdi Shaqiri ka qenë i ftuar në dasmë te çuni i vëllait tim. Ai ka qenë me duar në xhepa dhe nuk ka qenë i armatosur”.

“Kohëve të fundit, Ruzhdi Shaqiri e ka mbajtur një çantë të vogël ku i mbante dy telefonat, dokumentet edhe cigaret. E kam pasë tezak të babait, por e kam pasë si vëlla”.

“Aty kanë qenë dëshmitarët që s’e kanë treguar të vërtetën. Nëse e ke vrarë thuaj: ‘E kam vrarë sepse më ka sharë’, dhe jo me thanë në vetëmbrojtje kur ai ka qenë me duar në xhepa”.

Brahim Qorri ka treguar në detaje për telefonatën që e kishte pasë nga burgu me Gani Gecin ku janë përmendur shumë emra.

“Unë kam qenë në burg në Çeki. Unë i kam edhe inçizimet tjera çka kemi folur para inçizimit që e ka bërë Gani Geci ku më tregon se çfarë të them kur të më thirrë ai në telefon”.

“I kam edhe inçizimet e tjera kur kemi folur dy ditë më parë që i kanë edhe policia çeke, që ai [Gani Geci] nuk e din, kur më ka thënë: ‘Përmende Xhavit Halitin dhe të tjerët’. Unë nuk e njoh, kurrë në jetën time nuk kam nejtë me Xhavit Halitin”.

Por, pse e përmendi ai Sabit Gecin?

“Ganiu [Geci] më ka thënë se Sabit Geci ka gisht. Problemi ka nisur shumë herët, në vitin 1998”.

“Unë kam qenë duke shkuar me vëllain me i marr fëmijët e vëllait tjetër në Brojë. Duke shkuar kam nejtë me Çopën [Sabit Geci] në Llaushë. Duke u kthyer, në të njëjtin vend më kanë ndalë ushtarët me maska – unë e di kush kanë qenë ata persona”.

“Me njërin prej atyre me maska kam pasë probleme private më herët. U afrua njëri dhe deshti me më goditë. Unë jam larguar dhe i thashë: ‘Nëse je shqiptar, atëherë hiqe kapuçin!’. Ai i bëri gati fishekët në kallash. Prej nga doli Gani [Geci] nuk e di, veç e kam dëgjuar kur ka thënë: ‘Qysh po e ngucni ‘nipin’?’. Ata janë larguar dhe unë kam vazhduar me veturë”.

“Në orën 9 në mbrëmje kam shkuar te Çopa [Sabit Geci] në shtëpi. Aty kanë qenë Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj duke fjetur. Një natë ose dy më herët ishin kthyer nga Shqipëria”.

“I thashë: ‘Çopë, çka u bë? A m’i qite ti njerëzit në udhë?’, sepse ne u pamë gjysmë ore më herët. Më tha: ‘Nuk di asgjë’. Unë i thashë që nuk i kam borxh dhe nuk i kam bërë askujt asgjë”.

“Çopa e kishte ditur, por nuk më ka treguar kurrë – as sot, që jemi pajtuar, nuk më tregon”.

Brahim Qorri ka rrëfyer edhe se si është pajtuar me Sabit Gecin.

“Na kanë thirrë disa shokë që të na pajtojnë. Unë i tregova se e kam bërë telefonatën për arsye se më ka premtuar që dal më lehtë prej burgut. Isha mërzitë për fëmijët që nuk i kisha parë kohë të gjatë. Aty nuk ka asgjë të vërtetë”.

“Gani Geci më ka përdorur mua si vegël. Kur kam ardhë prej Çekisë në aeroport më kanë pritur tre prokurorë”.