Borxhi rekord mbi 80%/ Guvernatori Sejko drejt ikjes në heshtje, Meta i preu shpresat - Gazeta Express
string(82) "borxhi-rekord-mbi-80-guvernatori-sejko-drejt-ikjes-ne-heshtje-meta-i-preu-shpresat"

Borxhi rekord mbi 80%/ Guvernatori Sejko drejt ikjes në heshtje, Meta i preu shpresat

Shqiperi

Gazeta Express

28/01/2022 21:07

Raportimi i Ministrisë së Financave për një nivel rekord të borxhit publik, në 80.1%, ka hapur një temë që e bezdis qeverinë e Ramës. “Shuplakat” e FMN-së dhe të Bankës Botërore kanë qenë të përvitshme, por borxhi jo vetëm që u shtua, por edhe u shit si një histori suksesi.

Me shifrën e publikuar së fundmi, ekspertët bien dakort se vija e kuqe është tejkaluar dhe Shqipëria po hyn në një rrugë të rrezikshme. Shqipëria ka pak më shumë se 10 miliardë euro borxh, nga 13.7 miliardë euro gjithsej që është prodhimi kombëtar.

Lexo Edhe:

Me një llogari të thjeshtë rezulton që çdo shqiptar të ketë borxh 3,450 euro, ose 1,070 euro më shumë se pesë vite më pare.

Për të kuptuar se si janë përkeqësuar shifrat mjafton krahasimi me disa vite më parë. Nga viti 2010 deri në 2016 paguanim mesatarisht 56.6 milion në vit.

Tani paguajmë 94.3 milion euro në vit.

Banka Botërore dhe FMN kanë paralajmëruar gjithnjë se rritja e borxhit në nivele rekord do të ulë investimet për projekte në infrastrukturë dhe do të ndalë rritjen e pagave dhe të pensioneve.

Por qeveria mbrohet duke thënë se borxhi u rrit për shkak të fatkeqësive që goditën vendin, tërmeti dhe pandemia. Për të përballuar këto të dyja u mor edhe eurobondi 650 milion euro.

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar sot për këtë çështje. “Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur niveli i borxhit publik për të parandaluar një humnere ekonomike e financiare dhe drama të mëtejshme sociale, kërkoj nga Kuvendi dhe institucionet financiare të huaja dhe vendase, të bëhet sa më parë një vlerësim real dhe transparent i borxhit publik” tha Meta.

Shqetësimi i Metës duket të jetë një sinjal për atë që pritet të ndodhë në vijim.

I vetmi që nuk ka shfaqur asnjë shqetësim dhe ka heshtur mbi këtë situatë është Gent Sejko. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk ka guxuar të bëjë asnjë paralajmërim për atë që po ndodh. Përkundrazi, në momentet më delikate të situatës ekonomike, Sejko është bërë pjesë e propagandës qeveritare për përballimin me sukses të pandemisë, apo për sukseset në shtimin e borxhit.

Interesant është të shihet një përshkrim që Guvernatori i bënte situatës ekonomike rreth një muaj më parë, gjatë takimit të Shoqatës së Bankave. Panorama që prezanton ai është edhe më rozë se ajo që shet propaganda e qeverisë, e cila të paktën përmend vështirësitë nga pandemia dhe tërmeti.

“Ekonomia shqiptare ka treguar një rimëkëmbje të dukshme gjatë vitit 2021, duke tejkaluar pritshmëritë tona fillestare. Ritmi i vazhduar pozitiv i rritjes ekonomike është i fortë, me bazë të gjerë dhe i prekshëm. Prodhimi i brendshëm bruto tashmë ka arritur nivelin e para-krizës; punësimi po rimëkëmbet; bilancet financiarë janë rritur, ndërsa treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar janë përmirësuar. Burimet e rritjes ekonomike i janë rikthyer tendencës së tyre rritëse dhe asaj të diversifikimit të duhur” shprehej Sejko gjatë muajit dhjetor.

Edhe këto ditë, Guvernatori nuk ka folur, por kësaj radhe ka një arsye të fortë. Në datën 5 Shkurt, mandati i Gent Sejkos si Guvernator i Bankës së Shqipërisë mbaron.

Lapsi.al mësoi se Guvernatori është kapur nga ethet e pritjes për të parë mundësinë e rizgjedhjes për një mandat të dytë.

Ai u emërua në këtë post në shkurt të 2015-s, për të vijuar mandatin e lënë në gjysmë nga Ardian Fullani, i cili u përfshi në skandalin e vjedhjes së parave nga banka, por që Gjykata e shpalli më pas të pafajshëm.

Sipas Kushtetutës, Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Duke qenë se është mësuar të përkulet sa herë i duhet qeverisë, në situatën e krijuar kur është hapur debati për borxhin rekord, Sejko nuk ka ditur çfarë të bëjë, veçse të heshtë. Por propozimi i parë për emrin e Guvernatorit vjen nga Presidenca dhe Meta i ka dërguar sot një sinjal që ia pret shpresat për një mandat të dytë.