Bordi i RTK’së pasi dështoi ta zgjedhë drejtorin, tenton të dalë nga situata duke kërkuar interpretim ligjor


Gazeta Express
19 Prill 2019 17:17

Sot bordi i RTK-së ka votuar në mënyrë të hapur për kandidatët që po pretendojnë të marrin postin e drejtorit të mediumit publik në Kosovë. Por, kandidati që i kishte gjasat më të mëdha, Ngadhnjim Kastrati, ka marrë gjashtë vota, mëson Gazeta Express, të cilit i duhet edhe një për t’u emëruar në këtë pozitë.

Kryetarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, tha për Gazetën Express se për zgjedhjen e drejtorit do të kërkohet interpretim ligjor. Këtë do ta bëjë Sekretaria e Kuvendit të Kosovës. Sipas Maliqit, ligji është i paqartë.

Por, Neni 32 “Kushtet për emërim dhe shkarkim të Drejtorit të Përgjithshëm” megjithatë është mjaftë i qartë pasi nga 11 anëtarët e bordit sa janë, që zgjedhja të konsiderohet valide duhet të votojnë 2/3 ose 7 anëtarë të bordit.

“Drejtori i Përgjithshëm i RTK-se emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit. Mandati i tij do të jetë tri (3) vjet me mundësi të rizgjedhjes në bazë të konkursit, vetëm edhe për një mandat pasues” thuhet në Nenin 32 pika 3 e ligjit për RTK’në.

Por, duket se një pjesë e bordit nuk po do që të hapet konkurs i ri, pasi që kjo është hera e tretë që po dështon zgjedhja e Drejtorit të Ri të RTK’së.

Prandaj atë e kanë referuar këtë cështje për interpretim ligjor tek sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi.

Ajo ka thënë se votimi ka qenë i hapur. Gazeta Express merr vesh që anëtarja e Bordit Naile Demiri nuk ka votuar fare.

“Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) duke u bazuar në nenin 30 pika 7 të Ligjit të RTK-së sot ka votuar në mënyrë të hapur për kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm. Kandidati i pare ka marre 6 vota për dhe një kundër. Bazuar ne Nenin 30, pika 4, ku thotë se “kuorumi mbledhjeve të Bordit është gjashtë (6) anëtarë, dhe meqenëse neni 32.3 i Ligjit të RTK-së është i paqartë rreth 2/3 të anëtarëve, Bordi ka vendosur që të kërkojë interpretim ligjor për këtë nen. Pas marrjes së interpretimit ligjor, Bordi do ta konstatojë gjendjen”, ka thënë Maliqi për Gazetën Express.

Te fundit


Kthehu lart