Bordi i RTK’së në dorën e Marijana Adamović-Šimić, anëtarja e bordit tregon arsyen


Gazeta Express
11 Shtator 2019 16:33

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, nga e mërkura, ka mbetur në dorën e Listës Serbe. Pas përfundimit të mandatit të kryetares aktuale, Afërdita Maliqit, vendin e saj e ka zënë nënkryetarja Marijana Adamović-Šimić, e cila mbështetet nga Lista Serbe. Arsye për këtë ka qenë dështimi i Bordit që të zgjedhë kryetarin e ri, në mungesë të anëtarëve. Anëtarja Naile Demiri ka treguar për Express arsyen pse nuk ka marrë pjesë nëpër mbledhje dhe dështimin e bordit për të zgjedhur kryetarin e ri

Në pamundësi për të zgjedhur kryetarin e ri, tash e tutje mbledhjet e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës do t’i udhëheqë zëvendëskryetarja Marijana Adamović-Šimić.

Brenda RTK’së fajin për këtë gjendje po ia lënë anëtares së bordit, Naile Demirit. Sipas tyre, ajo i ka bojkotuar të gjitha mbledhjet dhe ka pamundësuar zgjedhjen e kryetarit.

Por, ajo ka një shpjegim tjetër për këtë punë. Madje, mohon se ka pasur bojkotim nga ana e saj.

Naile Demiri i ka thënë Gazetës Express se ajo ka refuzuar që të marrë pjesë në mbledhjet e bordit, meqenëse nuk pranon që të shkelë ligjin.

Me mungesën e saj nëpër mbledhje të Bordit, Demiri thotë se po mundohet që të mbrojë veten nga shkeljet ligjore dhe ta shpëtoj RTK-në nga paligjshmëria.

“Që prej zgjedhjes si anëtare e Bordit të RTK-së, nuk kam bërë asnjë mungesë pa arsye në mbledhje. Për bojkotim as që bëhet fjalë. Kam refuzuar dhe do të refuzoj të marr pjesë në çdo proces që është në kundërshtim me ligjin për RTK-në. Për këtë i kam njoftuar me shkrim, Bordin e RTK-së dhe Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Demiri.

Sipas Demirit, edhe Drejtori i Përgjithshëm i RTK’së është zgjedhur në mënyrë të paligjshme. Për këtë arsye deklaron se nuk ka pranuar të bëhet pjesë e përpjekjeve për zgjedhjen e menaxhmentit të RTK’së.

“I ashtuquajturi drejtor i përgjithshëm i RTK-së është zgjedhur me 6 vota për, ndërsa ligji e thotë qartë se ai duhej të kishte të paktën 7 vota për. Me këtë çështje, është njoftuar edhe Kuvendi i Kosovës. Rrjedhimisht, përderisa çështja është duke u trajtuar, unë nuk kam pranuar të shkelë ligjin dhe të bëhem pjesë e përpjekjeve për përzgjedhjen e ekipit të drejtorit të kontestuar”, thotë Demiri.

Moszgjedhja e menaxhmentit dhe e kryetarit të Bordit në këtë mënyrë, sipas saj vetëm e mbrojnë Radio Televizionin e Kosovës.

“Qëndrimi im konsistent në mbrojtje të procedurave që parashihen me ligjin për RTK-në dhe rregulloret e saj, mendoj se, jo vetëm që nuk e rrezikojnë, por e mbrojnë RTK-në nga çdo tendencë ndikimi. Fatkeqësisht, RTK-ja është e rrezikuar sepse ka drejtor të përgjithshëm të paligjshëm. Por, për këtë unë nuk mbaj përgjegjësi. Sepse e kam denoncuar me kohë dhe vazhdimisht”, deklaron Demiri për Express.

E në pamundësi të zgjedhjes së kryetarit të ri të Bordit të RTK’së, mbledhjet e Bordit po udhëhiqen nga nënkryetarja e Bordit, Marijana Adamović-Šimić. E për këtë Demiri thotë se nuk ka faj.

“Meqë aktualisht nuk kemi mundësi ligjore të zgjedhim kryetarin e ri të Bordit, sipas ligjit të RTK-së, mbledhjet e Bordit i udhëheq nënkryetari i Bordit. Bordi i RTK-së nuk mund ta zgjedhë kryetarin e ri sepse ka vetëm 6 anëtarë, nga të paktën 7 anëtarë që duhet të marrin pjesë në mbledhjen ku zgjedhet kryetari i Bordit të RTK-së. Fajin për këto nuk e kam unë. Sepse nuk mund ta kem unë”, sqaron ajo.

Për gjendjen në RTK ka folur edhe ish anëtari i Bordit dhe profesori i UP-së Rrahman Paçarizi.

Paçarizi thotë se Kuvendi i Kosovës duhet te heqë dorë përfundimisht nga tendencat për ndikim politik përmes përzgjedhjes së anëtareve të bordit dhe ta lerë RTK-në të zhvillohet.

“Situata me Bordin e RTK është aspak e mirë për shkak të vonesave te vazhdueshme qe Kuvendi i Kosovës ka bërë me rastin e procedimit të konkurseve për anëtarët e rinj të bordit. Mua më vjen keq nga koleget e mi në bord që detyrohen të përballen me situata të  pamundësisë së ushtrimit të funksionit pa fajin e tyre, kur mungesa e kuorumit ose vështirësia e sigurimit te kuorumit është bërë pengesë e patejkalueshme”, thotë Paçarizi.

Sipas tij, problemi kryesor është mungesa e kuorumit dhe pamundësia e procedimit të konkursit për pozitat e larta menaxheriale.

Paçarizi u ka bërë thirrje partive politike që gjatë fushatës të zotohen se do t’i largojnë kthetrat nga RTK’ja.

“RTK e ka të zgjedhur vetëm drejtorin e përgjithshëm, ndërsa pozitat e tjera janë duke funksionuar me ushtrues detyre. Ushtruesit e detyrës kanë funksione të kufizuara ndërsa drejtori i përgjithshëm në këtë situatë është i stërngarkuar me përgjegjësi. A e dini sa vështirë është te funksionohet në këtë mënyrë në kohë zgjedhjesh dhe zhvillimesh dramatike në teknologjinë e transmetimit. Mirëpo situata është pothuaj e pashprese kur s’ka as Kuvend. Unë bashkëndiej me koleget e bordit dhe ata të menaxhmentit”, ka thënë Paçarizi për Express.

Kryetari i Bordit të RTK-së, sipas ligjit, zgjedhet me shumicë të thjeshtë votash, por, me kushtin që në mbledhje marrin pjesë së paku dy të tretat e anëtarëve të Bordit.

Bordi i RTK’së, aktualisht ka vetëm 6 anëtarë. Afërdita Maliqi, kryetare e bordit(i ka përfunduar mandati), Marijana Adamović-Šimić , nënkryetare, Naile Demiri, anëtare, Agron Gashi, anëtar, Lirim Geci, anëtar dhe Sali Bashota, anëtar. Të tjerëve u ka skaduar mandati dhe Kuvendi nuk ka arritur t’i zgjedh anëtarët e rinj./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart