Bolton: Testimet e raketave nga Koreja Veriore shkelën rezolutat e OKB-së


Gazeta Express
25 Maj 2019 9:10

Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, John Bolton, ka thënë se testimet e reja të raketave nga Koreja Veriore i kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan bën një deklaratë të tillë.

“Rezoluta e Kombeve të Bashkuara ndalon lëshimin e çfarëdo rakete balistike”, tha Bolton të shtunën. Në testimet e raketave të Koresë Veriore u përfshinë lëshimet e raketave me rreze të shkurtër veprimi dhe Bolton tha se nuk ka dyshim që kjo paraqet shkelje, duke kërkuar nga udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong-un, që të kthehet në bisedimet për çarmatosje bërthamore.

Deklarata e Boltonit erdhi disa orë para vizitës katërditore të presidentit amerikan, Donald Trump, në Japoni.

Më herët gjatë këtj muaji, Jong-un e inspektoi fluturimin e parë të armës së patestuar më parë. Ajo është një raketë relativisht e vogël dhe e shpejtë. Ekspertët besojnë se ajo mund të lëshohet dhe të fshihet më lehtë.

Bolton tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të hapura për bisedime me qeverinë koreane, por se nuk e kanë ndryshuar pozicionin e tyre, të cilin e kanë bërë të qartë në samitin e Hanoit. “Trump e ka lënë derën të hapur për Kimin, hapi i ardhshëm është që Kimi të hyjë përmes saj”, tha ai.

Ai gjithashtu kërkoi nga diktatori i Koresë Veriore që ta pranojë takimin me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, sepse, sipas tij, ai do ta ndihmonte fillimin e dialogut për programin e armëve të vendit komunist, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart