Boeing dhe Porsche bashkojnë forcat për veturën elektrike fluturuese


load
Gazeta Express
13 Tetor 2019 9:43

Gjiganti amerikan për prodhimin e aeroplanëve, Boeing, dhe prodhuesi i njohur gjerman i veturave sportive, Porsche, kanë njoftuar këtë javë se janë bërë bashkë për të punuar në projektin e një veture elektrike fluturuese.

Në njoftimin e dhënë nga kompanitë nuk është dhënë ndonjë hollësi për shumën e parave që do të investohen në këtë projekt apo burimet tjera që do të përfshihen në të. Nuk janë bërë të ditura as data e planifikuar për daljen në treg  dhe as çmimi i mundshëm i kësaj veture.

Sidoqoftë, kompania “Porsche” është pjesë e korporatës “Volkswagen AG”, e cila është prodhuesja më e madhe e veturave në botë. Ky gjigant ka njoftuar se do të investojë shumë në vetura elektrike, duke e premtuar prodhimin e 22 milionë veturave të tilla në dhjetë vjetët e ardhshëm.

“Po i kombinojmë pikat e forta të dy kompanive udhëheqëse botërore për ta shqyrtuar potencialin në një treg thelbësor të së ardhmes”, tha Detlev von Platen, anëtar i bordit të kompanisë “Porsche”, i cili është përgjegjës për shitjet dhe marketingun.

Në anën tjetër, Steve Nordlund, menaxher i përgjithshëm në njërin nga sektorët e kompanisë “Boeing”, tha: “Porsche dhe Boeing së bashku sjellin makineri precize, stil dhe inovacion për ta përshpejtuar zhvillimin e transportit ajror urban në mbarë botën”, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart