Bizanalisti Bollino - Gazeta Express
string(19) "bizanalisti-bollino"

Ermal Mulosmani

05/06/2020 16:16

Bizanalisti Bollino

Ermal Mulosmani

05/06/2020 16:16

Fenomeni i bizanalistit (biznesmenit-analist) në fakt nuk ka lindur me Carlo Bollinon. Prej vitesh gazetarë që u bënë sipërmarrës apo menaxherë të medias, herë pas here, morën kohën e publikut për të dhënë mendimet apo bërë komentet e aktualitetit. Mirëpo erdhi një kohë dhe e kuptuan që kjo punë nuk shkon, zinxhirët e rëndë të biznesit në këmbët e tyre, ua mbyllnin gojën. Për këtë arsye, ata u tërhoqën nga komentimi i aktualitetit dhe u dhanë hapësira punonjësve të tyre që, gjithsesi, ishin avokatë më të mirë dhe në dukje më të paanshëm të bizneseve të punëdhënësit.

Mirëpo kjo nuk ndodhi edhe me Carlo Bollinon. Ai është pothuaj përditë në ekranin e Top Channel, në mbrojtje të pushtetit aktual  me të cilin e lidhin dhjetëra fije interesi. Avokatia e pushtetit bëhet pa pikën e drojës ose kamuflimit çka e ka bërë publikun tashmë ta dijë paraprakisht qëndrimin e tij, e, për këtë shkak, nuk ka më kurrfarë kurioziteti për ta dëgjuar ndaj edhe ndërron kanalin kur ai flet. Reputacioni i tij si gazetar i paanshëm, si “gazetar që ka në ADN-në e tij opozitarin” ka marrë fund njëherë e mirë. Opozitarin ndaj kujt? Ndaj Opozitës? Opozitari i Opozitës është lëpirësi i pushtetit. 

Lexo Edhe:

Përpjekja e tij nëpër studio për t’u marrë me faktin dhe jo me perceptimin, relativizimi i fajeve dhe sidomos largimi nga argumenti për t’u marrë me argumentuesin janë shkolla më e keqe për një gazetar aspirant dhe shkolla më e mirë për një avokat të së keqes.

Fakti dhe Perceptimi

Në komentet politike flitet mbi bazën e perceptimit, ato nuk janë gjykata që dënojnë penalisht por analizojnë fakte dhe nxjerrin përfundime.

Psh, është fakt që gjatë qeverisjes së Edi Ramës, Carlo Bollino i sapo rikthyer nga Italia (2012) bleu nga njeriu më i afërt i asaj kohe i Kryeministrit (Koço Kokëdhima)  34%  të aksioneve të Televizionit “Ballkan TV”. Normalisht ky është një transaksion tregtar por krijon edhe një “puhizë të lehtë dyshimi” për orientimin politik. Interesat politike të “Kryeministrit të Jugut” e Qeverisë së tij  do të prevalonin në politkën editoriale të Televizionit. Është e pamundur të besojmë të kundërtën.

Është fakt që Report TV u ble nga Bollino në Prill 2017 kur për vetëm 3,5 milion lekë (27 mijë Euro). Pra, brenda 2 viteve nga ndarja me Koçon, Bollino bëhet legalisht pronar i një Televizioni që i kushtoi vetëm 27 mijë Euro! Perceptimi na thotë që zoti Bollino e ka blerë në mënyrë fiktive atë Televizion pasi ai ka qenë i tij. Perceptimi na thotë se Bollino ka përdorur ndikimin e tij në Kryeministri për të marrë licensën e Albania Screen për transmetimet e Report TV. Licensat televizive po shiten me qindra mijëra Euro në transaksionet private ndërsa Bollino e blika 27 mijë Euro. Ky disproporcion financiar sigurisht thotë diçka për publikun.

Është fakt gjithashtu që Qeveria e Kryeministrit Rama i ka dhënë Bollinos, në Tufinë, objektet e ish Ndërmarrjes Metalike me qera 1 Euro/kontratë. Pra 4021 m katror për 1 Euro për 20 vjet. Të jemi të qartë, nuk ia ka dhënë me 1 Euro/metër katror. Jo. Me 1 Euro gjithsej.  Për 20 vjet. Pas 20 vjetësh mundet ta ripërtërijnë me 1 Euro tjetër. Është fakt që pak më vonë Qeveria nxjerr urdhër për shembjen e atyre godinave dhe i hap rrugën për ndërtimin e studiove të Televizionit Report. Pra me vetëm 1 Euro Qeveria të jep  tokën mbi të cilën ti do ndërtosh.  Perceptimi na thotë që toka në Tufinë ju është falur nga Kryeministria. Pse z. Bollino nuk blen tokë në privat apo të marrë objekte me qera në persona privatë për punët e tij private?

Të gjitha faktet e lartpërmendura më lart, po t’u shtojmë edhe qëndrimet publike, konstante kundëropozitare dhe pro pushtetit, çojnë në perceptimin që z. Bollino është shërbëtor mediatik i Qeverisë.

Relativizimi

Sapo dikush përmend fakte të tilla si ato që përmenda më lart, Bollino nuk merret me faktet por me relativizimin e tyre. Sipas tij, shumë Televizione të tjera, kombëtare ose jo,  kanë përfituar nga pushteti në kohë të ndryshme. Kjo në fakt është shumë e vërtetë. Por relativizimi, krahasimi me të këqinjtë për tu dukur “më i mirë” nuk është argument. Nëse një botues në Shqipëri nuk mban anën e pushtetit ai nuk përfiton prej tij.  Nëse Bollino ka përfituar (siç tregon dokumenti i dhënies së tokës në përdorim për 20 vjet), kjo tregon që ka mbajtur anën e pushtetit.

Nëse një subjekt ushtron trafik ndikimi te Qeveria kjo nuk është licensë për tjetrin.  Çdo faj apo përgjegjësi është individuale.

Ad Hominem

Për ta ilustruar po marr rastin e mbrëmshëm si më i freskëti. Aty edhe e mora shtysën për këtë shkrim. Në studion e Open në Top Channel, Bollino mbrojti dje tezën që ndërkombëtarët kanë zgjedhur të keqen më të vogël duke u bërë me Ramën (Relativizimi). Nënteksti ose perceptimi ishte që edhe unë që mbështes Ramën përpiqem të bëj balancën pasi “Kjo është Opozita”.

Në fakt kjo është e papranueshme për një gazetar. Gazetari ka për detyrë të informojë publikun me të vërtetën,  të mbajë qëndrime ndaj skandaleve publike, të kritikojë qeverinë më së shumti (pasi aty janë fondet publike dhe aty merren vendimet me interes publik). Gazetari është pushteti i katërt që i kundërvihet tre të parëve dhe është palë me publikun. Kur Bushati i përmendi skandalet e drogës së kësaj qeverie, zgjedhjet e vjetshme me një Parti, Bollino nuk kishte fjalë, thjesht nxori duart dhe vazhdoi me relativizimin si në një peshore farmacie “Ndërkombëtarët bëjnë një balanca, çfarë është më e mirë çfarë është më e keqe”

Për më tepër vazhdoi: “Ju që e mbështetni me kaq verbëri ish qeveritarët do t’i ndihmonit nëse filloni me kritika”…

Pra, Bollino, kritikat me të vërtetat për Qeverinë i quan “mbështetje e verbër ndaj Opozitës”. Ky është koncepti i tij.  Ai nuk merret me të vërtetën por me balancën. Nëse balanca e të vërtetës shkon kundër pushtetit ai nuk ka punë me të. Përndryshe, nëse i bie Opozitës ai mban qëndrim. Ai madje i bën thirrje Bushatit të bëjë kritika ndaj opozitës (veç Bollino në Shqipëri nuk i paska lexuar kritikat e përditshme të Bushatit ndaj Opozitës)…Ishte e trishtueshme ta dëgjoje një gazetar që ka themeluar një shkollë gazetarie në Shqipëri të degdisur në një shërbëtor pushteti…

Sigurisht që një akuzë kaq bajate ndaj një gazetari konfliktual me të gjitha pushtetet nuk u gëlltit lehtë nga Bushati i cili i përmendi pikërisht kontartën me 1 Euro që ka sapopërfituar nga Qeveria. Në këtë moment Bollino nuk jep shpjegim për akuzën por shtrembërohet duke akuzuar Bushatin. Kjo është sjellja tipike e tij. Sapo dikush të akuzon me fakte ti merresh jo me faktin por me personin. Kur përmend fakte të rënda përmend disa më të rënda të kundërshtarit. Kur i përmend perceptime kërkon fakte. Në fakt ky është pelivanizëm gazetaresk, i denjë për një avokat krimi por i turpshëm për një gazetar.