Bitcoin shënon rritje të vlerës për 20 për qind


Gazeta Express
2 Prill 2019 16:31

Kriptovaluta e njohur, Bitcoin, e ka arritur vlerën më të lartë në pesë muajt e fundit gjatë ditës së martë dhe ky zhvillim ka bërë që edhe vlera e kriptovalutave tjera të rritet. Analistët thonë se kjo ngritje është shënuar për shkak të blerjes së një sasie të madhe të kësaj valute nga një person anonim.

Kriptovaluta më e përdorur shënoi rritje deri në 20 për qind në tregun aziatik, duke e kaluar shumën e pesë mijë dollarëve për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Vlerën më të lartë në treg kjo valutë e kishte arritur në fund të vitit 2017, kur një njësi shitej për afro 20 mijë dollarë. Ky zhvillim ishte arritur si rezultat i investimeve të mëdha dhe futjes së kësaj valute në qarkullim nga firmat e mëdha financiare.

Sidoqoftë, interesimi për të kishte rënë për shkak të zvogëlimit të vlerës, ndërsa tash në këtë valutë kryesisht investojnë kompanitë teknologjike dhe individët e pasur.

Oliver von Landsberg-Sadie, shef ekzekutiv i firmës “BCB Group”, e cila merret me kriptovaluta, tha se rritja e vlerës së saj është arritur nga një blerje me vlerë 100 milionë dollarë.

Megjithatë, analistët nuk kanë mundur ta identifikojnë ndonjë zhvillim apo lajm që do ta bindte blerësin anonim për ta investuar një sasi kaq të madhe të të hollave në kriptovaluta, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart