Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se gjasat janë që Bashkimi Evropian të mos i hapë kufijtë këtë muaj me Shqipërinë, kjo për shkak të numrave të lartë të të infektuarve me koronavirus.
Gjatë një vizite me disa banorë të Divjakës, Basha u shpreh se ditën e djeshme ka biseduar me disa zyrtarë të lartë të BE-së dhe është e mundur që në mujin korrik, dyert do të qëndrojnë të mbyllura për Shqipërinë.
Basha: Të paktën deri me 15 korrik dhe gjasat janë që sipas një bisede që pata edhe mbrëmë me disa prej përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian gjatë një darke zyrtare, që edhe gjatë gjithë muajit korrik Shqipëria do të mbetet zonë e kuqe, e rrezikut, kjo për arsye se shumica e vendeve të tjera ku infeksionet po bien, në Shqipëri po rriten. Sot Shqipëria ka numra rekord infektimesh, shtrimesh dhe fatalitetesh.
Ky është rezultat i propagandës mbi politikën shëndetësore, nuk janë marrë masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor, i keni parë numri i të infektuarve dhe viktimave mes profesionistëve të bluzave të bardha është shtuar.
Vatrat më të mëdha të infeksionit janë spitalet, dhe si rezultat i kësaj, i gjithë efekti fillestar i karantinës njerëzore dhe ekonomike është zhbërë.
Hapi i parë që duhet ndërmarrë është stabilizimi i gjendjes së pandemisë, që deri tani ka vetëm fjalë dhe asnjë masë konkrete për ta ndaluar dhe kthyer të paktën numrin e infektimeve në parametra normalë. Natyrisht sa kohë kemi këtë situatë Bashkimi Europian nuk ka për ti hapur kufijtë”