Bisedimet për PSP-në ngecin ndërsa afatet rrjedhin


Gazeta Express
14 Maj 2019 16:08

Derisa bisedimet mes pushtetit dhe opozitës lidhur me propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike kanë ngecur, afatet deri kur duhet të zgjidhet fati i PSP-së afrohen dita-ditës.

Zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se vendi ka dy mundësi, por sipas tij do të ishte më mirë ligji të miratohej para publikimit të raportit të progresit.

“Njëri është i parapëlqyer dhe tjetri është i domosdoshëm. I parapëlqyeri do të ishte afati para publikimit të raportit, që do të thotë në fund të këtij muaji, ndërsa i domosdoshmi është para vendimit të Këshillit të Evropës që i bie nga mesi i muajit qershor. Brenda këtyre afateve, partitë politike duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të gjetur një konsensus” – theksoi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministë për Çështje Evropiane.

E para e PSP-së, Katica Janeva nuk pajtohet me kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë me shfuqizimin e të gjitha akuzave të ngritura pas 30 qershorit 2017.

E pyetur nëse pret ta shkarkojnë nga pozita, Janeva shton se për organizimin e brendshëm të Prokurorisë nuk mund të vendosin partitë politike.Për mua kërkesat e opozitës janë të papranueshme.

“Nuk mund të më shkarkojnë mua, si munden? Me cilin ligj? Në ligj nuk ka zgjidhje personale dhe nuk thuhet se ndryshohet ai apo ajo. Dihet çfarë thuhet në ligj. Neve na skadon mandati në muajin shtator, duke iu referuar ligjit për Prokurorinë Publike, e nëse sillet ligji i ri, mua nuk më skadon mandati më 15 shtator”, u shpreh Katica Janeva, Prokurore Speciale

Bisedimet mes pushtetit edhe opozitës u ngrinë pas kërkesës së VMRO-DPMNE-së për dërgimin e propozimit në Komisionin e Venecias, shkruan Alsat.

Partia e Mickoskit vlerëson se pushteti nuk pranon kërkesat e tyre me qëllim që ta arsyetojë mos marrjen e datës për bisedime.

Pushteti nga ana tjetër akuzon opozitën se përmes ndryshimeve ligjore kërkon amnisti për ish funksionarët e saj.

Te fundit


Kthehu lart