Beteja ligjore e katër motrave për trashëgimi, padisin vëllezërit që shitën pronën e përbashkët, njëra kërcënohet – rasti po u zvarritet - Gazeta Express
string(132) "beteja-ligjore-e-kater-motrave-per-trashegimi-padisin-vellezerit-qe-shiten-pronen-e-perbashket-njera-kercenohet-rasti-po-u-zvarritet"

Lajme

Merita Miftari

04/11/2024 17:40

Beteja ligjore e katër motrave për trashëgimi, padisin vëllezërit që shitën pronën e përbashkët, njëra kërcënohet – rasti po u zvarritet

Lajme

Merita Miftari

04/11/2024 17:40

Katër motra të lidhura ngushtë me kujtimet e fëmijërisë dhe dashurisë që patën për shtëpinë e prindërve të tyre në Shtime, u shokuan kur kuptuan se vendi ku u lindën dhe u rritën ishte shitur. Streha që i bashkonte motrat për të kaluar kohë së bashku – shtëpia e pasur me momente të lumtura për to, pas vdekjes së nënës u bë e një pronari tjetër, pa dijeninë e tyre. Pasi u përballën me realitetin e dhimbshëm – shitjen e shtëpisë, i paditën dy vëllezërit. Ky artikull përmes rrëfimit të njërës nga motrat, D.M., hedhë dritë në rrugëtimin e vështirë që marrin gratë mbi supe kur familja i përjashton nga trashëgimia. Zvarritja e lëndëve me vite të tëra në gjykata, përplasjet që krijohen brenda familjes, pasojat emocionale etj, janë disa nga problemet që po i përballojnë edhe këto motra. Për më tepër, D.M., edhe u kanos nga vëllai i saj pse ajo me motrat nisën procedurat për “të marrë hisen”.

Në Kosovë gratë vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në lidhje me trashëgiminë sepse “traditat dhe mentaliteti” favorizojnë burrat në këtë proces. Gruaja, D.M., bashkë me motrat e saj përmes ligjit po luftojnë për ta kthyer shtëpinë e prindërve, e cila me vendim të gjykatës ndodhet nën masën e sigurisë duke ia ndaluar pronarit të ri shfrytëzimin dhe tjetërsimin e shtëpisë me oborr. Ky i fundit pas blerjes së shtëpisë, veçse kishte nisur të bënte ndryshime në oborr.

Lexo Edhe:

Historia e shitjes së shtëpisë një vit pasi motrave iu vdiq nëna, D.M., rrëfeu ngjarjen mes lotësh

“Të dy vëllezërit i kam paditë, na dojna me pas hisen edhe te shtëpia edhe te tokat. Ne kemi mbetë kerkund…”, janë fjalët e gruas që ndodhet në betejë gjyqësore me vëllezërit e saj.

D.M., thotë se shitja e shtëpisë së prindërve të saj ndodhi një vit pasi iu vdiq nëna. Këtë lajm ia kumtoi një familjare më e largët, që në fillim asaj iu duk e pabesueshme kur i tha se vëllai ua ka shitur shtëpinë. Kjo sepse, vëllai ishte zotuar se shtëpinë nuk do ta shiste dhe motrat do ta mbanin një çelës të saj përgjithmonë. Ashtu ishin marrë vesh që “hisen me lënë te vëllezërit, por kur të shkojnë me pas derën çelë”.

“Ne jemi pesë motra dhe dy vëllezër, na ka vdekë babai që 37 vite, na ka rritë nëna me skamje. Para pesë vitesh na ka vdekë edhe nëna. Nanën e kemi këqyrë bijat, vëllai i vogël e merrke nënën jashtë (shtetin ku jetonte). Kur vike nëna ne bijat jemi kujdes për të, e këqyrshim. U martu motra e vogël, e merrja unë nënën në shtëpinë time qëndrojke këtu nëna ka tre muaj. Vishin motrat nga jashtë e këqyrshim…Më pas vdiq nëna, e kemi varrosë e ja kemi kry të pamën….”, rrëfen D.M., për Gazetën Express.

“Pasi u kry e pamja e nënës, i tha vëllai i vogël të madhit; o vëlla ne kështu nuk mbledhemi më kurrë se nuk i kemi pushimet e njëjta, po tha masi janë motrat këtu, ndash të lypin hise këtu janë krejt. Ja nisëm tu e nda (pasurinë)….”

Vëllezërit nisën me ndarjen e pasurisë, njëri mori shtëpinë e tjetri dy toka, deklaron D.M.

“Ne motrat tham hisen kemi me lanë te dy vëllëzërit, kur të vina me pas derën çelë…”.

D.M., pohon se vëllëzërit u zotuan se motrat kanë “hise në shtëpi dhe në toka”.

Në atë situatë, D.M., kishte marrë çelësat e shtëpisë dhe sikur kishte parashikuar shitjen e saj.

I thash vëllait, po gabon po ta shesin djemtë shtëpinë, më hini vesi vetë, më tha: jo sa të jam unë gjallë nuk guxon me shitë shtëpinë kurrkush…”, ishte ky premtimi që vëllai i saj e theu një vit më vonë.

Pasi vëllezërit ndanë pasurinë, ata vazhduan jetën në mërgim.

Në njëvjetorin e vdekjes së nënës, D.M., kuptoi se shtëpia ishte shitur pa dijeninë e motrave, sipas saj nën çmim. Realiteti i dhimbshëm u kthye në forcë që ajo së bashku me motrat të nisin procedurat ligjore për zgjidhjen e kësaj çështje.

 “…Thash motra qysh po ja bajmë kësaj pune, ato më thanë merre një avokat dhe hina në gjyq. Kemi shku te avokati Gazmend Rexhepi, i thash vëllai na ka shitë shtëpinë, as nuk na ka vetë. Kemi shku në shtëpi të nënës (kemi ndejtë), jemi rritë, e jemi martu….”, deklaron D.M., për bisedën që pati me avokatin.

D.M., përmes procedurave ligjore arriti të parandalojë që shtëpia të shfrytëzohej nga blerësi i ri.

Pas 10 ditësh më ka thirrë avokati, tha shtëpia u blloku nga gjyqi, rri pa ves se shtëpinë e ka blloku gjykata….”.

Dyshohet se vëllai vodhi gjësende nga shtëpia, motra e denoncoi në polici

Ndërkohë, asaj i erdhi një lajm që vëllai kishte hyrë në shtëpi dhe kishte marrë gjësende nga aty.

“Shkuam me motrën në Shtime, kur kemi shku, ai kish vjedhë… E kemi denoncu, ka vjedhë qebet, gjëra të kuzhinës çka kemi ble gota për nënën, gjygymat e çajit. Lypëm gjygymat, nuk ishin…”.

Vëllai kanos motrën pse ajo kërkoi të drejtën e saj për trashëgimi

“Kur ka ni që kom hi me gjyq, më ka shkru mesazhe vëllai i madh, më ka kërcënu në telefon më ka thanë veç një letër më vjen prej gjykatës mos thuni s’e dita. Nuk e kom shitë shtëpinë me u pasuru, por e kam shitë shtëpinë me jua mbush barkun barut”, tha D.M., se u kanos nga vëllai, deklaratë e cila e bëri të qajë.

Këto mesazhe ajo tha se i ka dërguar në polici, përmbajtja e të cilave tregon se i ka shkaktuar frikë.

“..kisha frikë…”, vazhdon rrëfimin.

Blerësi nisi të bënte ndryshime në shtëpi, anipse objekti ndodhej nën masën e sigurisë

“S’ka vonu, vjeshtë ka qenë, më erdh një sms i blerësit dhe më tha hajdeni largoni teshat nga shtëpia se shtëpia po na vynë, unë nuk ja kom kthy mesazhin hic…. pas një jave ma ka çu mesazhin prap, më ka thanë një javë keni afat, që nuk vini me i hjek teshat unë kam me jau qitë në oborr dhe ka me jua kallë, avokati më tha me i thanë “shihemi në gjykatë”, ashtu ia kam shkru dhe më shumë se kam zgjatë.

Shtëpia më përpara ka pas teneqe, na i kanë hjek teneqet, na kanë pre do pemë, do trëndafila që i ka mbjellë nëna, kanë bo ndryshime në oborr. Unë kam shkru prap në polici e kam lajmëru rastin…

Thash qysh është e mundshme, shtëpia e bllokume me gjykatë, na ka hjekë pemët që i kemi pas të nënës, kanë shku e kanë marrë në pyetje policia, ai ka thanë nuk e kam ditë që është shtëpia më gjyq se nuk e kisha prekë”, rrëfen D.M., për Gazetën Express.

D.M.,: E duam hisen që na takon neve si bija, lënda i ka mbushë katër vite

“Unë pasurinë e babës me sy mbyllë e di, unë jam qajo që kam shku me babën me magar kemi bajtë dru…e unë atë tokë e di përmendësh..”, janë fjalët e gruas që kërkon rikthimin e shtëpisë së prindërve.

Ajo tregon se lënda i ka mbushë katër vite dhe ndërkohë ka marrë vesh se blerësi e ka vendosë shtëpinë në emër të tij.

Hala nuk kemi arritë në procedura të shtëpisë. Më thanë e kanë qitë shtëpinë përmi veti. I thash shtëpia është e bllokume me dokumente prej gjyqit. Shkova te avokati, pyeta në komunë…Shtëpinë e kanë qitë në emër të tyre”, pohon gruaja.

“Këtu ka pas falsifikime në letra, në dokumente, shtëpia u blloku menjëherë, tani në dhjetor  – në janar doli shtëpia mbi emër të blerësit, kush i ka bo këto dokumente? Këtë po du me ditë? Motrat as në Kosovë s’po kanë ku me nejt, histori e gjatë që katër vjet”, shprehet ajo.

Për shkak të këtij rasti, ajo nuk kontakton më me vëllezërit e saj.

Mesazhi i fuqishëm i saj: Sot për sot duhet me ja dhanë trashëgiminë si vajzës si djalit

Avokati Gazmend Rexhepi dha detaje lidhur me rastin, “Dy vëllezërit e paditur jetojnë jashtë Kosovës dhe menjëherë pas vdekjes së nënës së tyre këtë shtëpi e kanë shitur edhe pse kujdesin edhe për nënën edhe për shtëpinë e kanë bërë motrat”.

Çfarë hapash janë ndërmarrë deri tani, flet avokati Gazmend Rexhepi

“Dy vëllëzerit e motrave në fjalë kanë zgjidhur çështjen e trashëgimisë dhe në Aktvdekjen (dokument që e lëshon Zyra e Ofiqarisë në Shtime) nuk kanë prezentuar edhe katër motrat si trashëgimtare. Më pastaj janë shpallur trashëgimtarë vetëm dy vëllezërit e tyre, ndërsa motrat të cilat tashmë janë paditëse nuk figurojnë si trashëgimtare dhe nuk kanë dhënë asnjë lloj pëlqimi noterial siç e kërkon Ligji se heqin dorë nga pasuria. Në këtë rast kemi parashtruar padi Për Vërtetimin e së Drejtës së Bashkëpronësisë sipas LT (Ligjit për Trashëgimi) Si dhe PROPOZIM ME URGJENCË për Caktimin e Masës së Përkohshme të Sigurisë ku kemi kërkuar ndalimin e Tjetërsimit, ngarkimit apo edhe shfrytëzimit të parcelave ku gjendet shtëpia me oborr. Në këtë rast është dashur të bëhet zgjerimi i padisë edhe kundrejt djalit të vëllait tjetër, sepse tashmë ky person na paraqitet si pronar sipas një Kontrate qe e ka bërë me vëllain e motrave”, tha avokati Rexhepi për Gazetën Express.

Motrat fituan “betejën e parë”

“Gjykata në këtë rast ka marrë vendim dhe ka aprovuar kërkesën e motrave ku ka caktuar masën e sigurisë në dy parcela ku gjendet edhe shtëpia ku tashmë ja ka ndaluar edhe pronarit të ri shfrytëzimin dhe tjetërsimin e shtëpisë me oborr”, tha avokati Rexhepi.

Edhe një rast i fituar

Sa i përket kanosjes që ia ka bërë vëllai motrës së tij, avokati Rexhepi tha se ai është dënuar nga Gjykata.

“Vëllai njërën nga motrat e ka kërcënuar me SMS-sa,  mesazhe me përmbajtje se pse e kanë dërguar lëndën në Gjykatë, ku për këtë rast ka pasur Aktakuzë dhe është dënuar nga Gjykata Themelore”, tha avokati Rexhepi.

Ndërsa, i pyetur për zvarritjen e kësaj lënde, avokati listoi disa arsye.

“Zvarritja ka ndodhur sepse në këtë rast janë ndërruar tre gjyqtarë. Fillimisht një gjyqtar e ka pasur rastin për masë të sigurisë/bllokimin e parcelave ku gjendet edhe shtëpia, çështjen kryesore një tjetër gjyqtar i cili ka dalur në pension. Kurse tashmë lënda është tek një gjyqtar tjetër”, u shpreh ai.

Drejtësi e ngadalshme, qytetarët presin me vite zgjidhjen e lëndëve

Institucioni i Avokatit të Popullit konfirmon për Gazetën Express se “për çdo vit pranon një numër të madh të ankesave të qytetarëve që kanë të bëjnë me zvarritjet e procedurave gjyqësore”.

IAP konfirmon se 56 ankesa parashtruan gratë sivjet për zvarritjen e procedurave gjyqësore.

“Që nga fillimi i këtij viti e deri më 29 tetor 2024, IAP ka pranuar 216 ankesa që kanë të bëjnë me zvarritje të procedurave gjyqësore, ndërsa nga ky numër janë 56 ankesa që janë të parashtruara nga gratë. Nga 216 ankesa, 14 ankesa kanë të bëjnë me mbrojtjen e pronës, ndërsa nga ky numër janë dy ankesa që janë parashtruar nga gratë”, thuhet në statistikat e IAP-së dërguar Express’it.

Cila është ndihma e Avokatit të Popullit në këto raste?

“E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm është garantuar me Kushtetutë, neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]. Kjo e drejtë garantohet edhe me nenin 6 të KEDNj [E drejta për një proces të rregullt]. Avokati i Popullit do të analizojë rastin, dhe në përgjithësi nxjerr raport me rekomandim për Gjykatat duke rekomanduar që të ndërmarrin të gjitha veprimet përkatëse për të shqyrtuar dhe për të vendosur për rastin, konkretisht ankesën e palës”, thuhet në përgjigjen e IAP.

IAP kërkon masa urgjente për rritjen e efikasitetit të gjyqësorit

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të merr masa urgjente sepse është më se evidente nevoja për rritjen e  efikasitetit të gjyqësorit. Të përshpejtohet dhe të merren hapa konkrete në reformën në drejtësi. Të gjitha autoritetet publike të vendosin standard në respektimin e ligjit, sepse për shkak të lëshimeve ne zbatim të ligjit po krijohet numër i madh i rasteve gjyqësore, si për shembull, është çështja e kontratës kolektive, paga e 13-të për policinë, shujtat në sektorin publik, procedura jo të rregullta të shpronësimit, e të tjera, shkaktojnë një keqadministrimin nga autoritetet kompetente, dhe kësisoj qytetarët kërkojnë mbrojtje gjyqësore, dhe rrjedhimisht kjo krijon mbingarkesë të lëndëve nëpër gjykata.  Edhe përkundër faktit se zvarritjet e procedurave gjyqësore paraqesin një prej shqetësimeve që Avokati i Popullit ka ngritur vazhdimisht dhe i ka rekomanduar Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës krijimin e një mekanizmi ligjor për kompensimin e shkeljeve të kësaj natyre, ende nuk është finalizuar ky mekanizëm. Qytetarët e vendit, pavarësisht faktit se u cenohet kjo e drejtë, ende mbesin pa mbrojtje ligjore në drejtim të kompensimit të shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, deklaron IAP.

Numër i ulët i grave që zotërojnë prona

Sipas të dhënave që Agjencia Kadastrale e Kosovës ia ka dhënë Gazetës Express, janë 1,927,732 prona të regjistruara në emër të burrave dhe 410,927 prona të regjistruara në emër të grave.

Statistikat më poshtë tregojnë numrin pronave në bashkëposedim, bashkëpronësi, pronësi e përbashkët. Edhe këtu, prijnë dukshëm burrat.

Si pasojë, që gratë nuk kanë prona të regjistruara në emër të tyre u kufizohet edhe e drejta për të marrë kredi bankare për qëllime të ndryshme, qoftë biznesore.

Si rrjedhojë, bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, gratë marrin shumë më pak kredi sesa burrat.

Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, gratë morën mbi 328 milionë euro kredi, teksa burrat kapën shifrën e mbi 833 milionë euro.

Ndërsa në pesë vitet e fundit kredia që iu aprovua grave në bankat e Kosovës kap shumën e mbi 1 miliardë euro, teksa burrat morën mbi 4 miliardë euro kredi, thuhet në të dhënat e BQK-së dërguar Gazetës Express.

Gratë të cilat nuk mund ta përballojnë koston për të kërkuar të drejtën e tyre për pronë, në një nga dyert që mund të drejtohen është Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, e cila është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas është e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas të gjithë qytetareve të cilët për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk kanë pasur mundësi t’i realizojnë të drejtat e tyre apo nëse bëjnë pjesë në kategoritë e veçanta të përfituesve të ndihmës juridike falas”, i tha Gazetës Express, Qëndrim Gashi U.D Udhëheqës i Divizionit për Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas.

Në statistikat që ka kërkuar Gazeta Express, ANJF, shpalos se në tri vitet e fundit numri i qytetarëve që kërkuan ndihmë juridike është rritur, “në vitin 2021 ndihma juridike falas është ofruar për 4599 (katërmijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë) qytetarë, në vitin 2022 ndihmë juridike falas kanë përfituar 5861 (pesëmijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e një) qytetarë, ndërsa në vitin 2023 ndihma juridike falas është ofruar për 6081 (gjashtëmijë e tetëdhjetë e një) qytetarë”.

Ndërsa vetëm në 10 muajt e parë të viti që jemi (2024), të gjitha zyret e ANJF-së i kanë ofruar ndihmë juridike falas 6160 (gjashtëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë) qytetarëve.

E rastet e trajtuara në çështjet pronësore për gratë dhe vajzat janë si në vijim:

Në tabelën më lartë u pa që sivjet 60 vajza dhe gra kërkuan në ANJF ndihmë për çështjet pronësore.

Sipas vlerësimeve të organizatave të ndryshme në Kosovë, sa i përket çështjeve pronësore, ligjet janë të mira por mbetet sfidë implementimi i tyre.

Sipas Ligjit për Trashëgiminë, ndarja e pasurisë bëhet në mënyrë të barabartë, pa përjashtuar njerëzit në baza gjinore. Parashihet edhe opsioni për largimin në mënyrë të vullnetshme nga trashëgimia.

Për shkak se nuk janë të pavarura financiarisht, shumë gra detyrohen të kthehen tek dhunuesit dhe, në disa raste, kanë përfunduar të vrara. /Gazeta Express

Fotoja e artikullit është nga protesta e grave në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.