Besnik Jaha/ Omer Hajami dhe Selman Rushdie - Gazeta Express
string(42) "besnik-jaha-omer-hajami-dhe-selman-rushdie"

Besnik Jaha/ Omer Hajami dhe Selman Rushdie

Arte

Gazeta Express

15/08/2022 16:26

(Selam Rushdie nuk ishte më “fajtor” sesa Omer Hajami)

Për jetën e Omer Hajamit (Hajam tek ne ka ardhë sipas anglishtes: Khajam) ka më shumë legjenda sesa të dhëna të bazuara në fakte historike. Ndër pak dëshmi historike nga jeta e tij është koha kur lindi (midis viteve 1025-1050), dhe koha sa jetoi (1123, viti kur vdiq), në qytetin Nisabur të Horasanit.

Lexo Edhe:

Nga burime të vërtetuara historike tregohet edhe se Hajami pati vuajtur shumë pasi ia vranë mbrojtësin Nizam El Mulk, i cili si Vezir i Madh i mbretit të atëhershëm të Persisë, Malik Shahut, Hajamit ia kishte siguruar një pension solid. Dhe kështu, pas vdekjes së vezirit Hajami, si antifetar që ishte, për ta fituar bukën e gojës nisi të japë mësime për Kuranin dhe Sheriatin. Edhe pse ai nuk i pranonte as Kuranin si libër hyjnor e as Sheriatin si legjislacion, i njihte sa për t’i shpjeguar para nxënësve të tij dhe sa për ta fituar bukën e gojës. Po ashtu, po para nxënësve hapur e thoshte edhe mendimin e tij për Kuranin dhe Sheriatin. Puna shkoi gjer aty sa Hajami u bë armik i të gjithëve: i suninjve, sepse nuk e duronte dogmatizmin; i shiinjve, sepse nuk e duronte misticizmin, dhe; i institucioneve sheriatike, sepse nuk e duronte absolutizmin politik dhe fetar. Nga transmetime jo të verifikuar që flasin për jetën e tij tregohet se në pleqëri u nis për në Mekë, për ta kryer haxhin. Kjo, sipas miqve të Hajamit, për t’i mashtruar armiqtë se Hajami ishte penduar dhe kthyer në rrugën e Zotit. Mirëpo Hajami ishte mizantrop i vërtetë (sado ironik që mund të tingëllojë ky togfjalësh). Kjo dëshmohet nga porosia që ua lë miqve, që ta varrosin nën flamurin e hardhisë (nga dashuria e madhe që kishte për verën), dhe që pas vdekjes ta kujtojnë me dolli.

Gjithë këtë hyrje e bëra për ta sjellë një paralele krahasimi mjaft me rëndësi për gjithë myslimanët. Atë të mjerimit në të cilin kanë rënë për shkak të keqkuptimit e keqinterpretimit të Islamit. Dhe, këtë po e bëjmë për shkak të sulmit ndaj shkrimtarit Selamn Rushdie.

Le ta kujtojmë se në Greqinë e lashtë Sokrati për shkak të bindjeve u dënua me vdekje (pirje helmi). Edhe në Evropën e Mesjetës, po edhe deri vonë pas Romantizmit Italian, mund të numërohen plot shembuj të dënimit me vdekje (djegie në turrën e druve) për shkak të bindjeve të tyre për lirinë dhe mendimin.

Madje-madje, Hajami ishte më fajtor sesa Sokrati, Xhordano Bruno, apo edhe se Selman Rushdie. Mirëpo Hajami nuk e provoi asnjë atentat ose ekzekutim. Ai u la i lirë të shkruajë e të flasë. Madje edhe të predikojë kundër fesë zyrtare (Islamit) dhe ligjeve të shtetit (Sheriatit). Dhe po ashtu të vdesë i qetë në shtrat.

Selam Rushdie nuk ishte më “fajtor” sesa Omer Hajami në raport me qasjen e tij ndaj besimit fetar. Dhe, ai u sulmua po për shkak të bindjeve të tij. Dhe reagimi kundër sulmit ndaj tij prej myslimanëve ishte minimal. Sikur iu gëzuan! Sikur u lumturuan e buzëqeshën nën hundë.

Sulmi ndaj tij tregon se myslimanët e kësaj kohe kanë dështuar në kuptimin dhe jetësimin e plotë të qytetarisë, tolerancës dhe porosisë islamike: PAQE. Sepse Islam do të thotë Paqe. Jo dhunë.

Ikja nga shkenca dhe leximi myslimanët e kësaj kohe i ka futur në një qorrsokak. Në një rrugë që çon në Mesjetë. Në atë mesjetën evropiane kur dijetarët vriteshin e digjeshin të gjallë pse e thoshin mendimin e tyre. Pse mendonin të lirë! Dhe kështu, duke mos qenë “të fortë nga muskujt e trurit” të diskutojnë e t’i ballafaqojnë argumentet, siç bënin myslimanët e kohës së Hajamit, “myslimanët” e kohës sonë po janë të aftë nga muskujt e krahut dhe armët. Megjithëse kjo më së paku është Islam./Bardbooks