Berisha: Veseli është treguar i paqëndrueshëm për taksën dhe ka heshtur rreth idesë për ndryshim të kufijve


Gazeta Express
12 Shtator 2019 15:56

Kandidati i AAK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Anton Berisha, ka deklaruar se PDK-ja dhe kryetari i saj Kadri Veseli kanë pasur paqëndrueshmëri rreth taksës 100% ndaj Serbisë, e vendosur nga Kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

Madje, Zëvendësministri i Jashtëm, në largim, në Debatin Zgjedhor për Dialogun, në RTK, ka thënë se Veseli i paqëndrueshëm në qëndrime është treguar edhe në raport me temën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Zotëri Veseli ka treguar një paqëndrueshmëri, në disa periudha, rreth disa temave. Por është mirë që u qartësu tash në këtë proces zgjedhor”, tha Berisha në “Debat”, gjatë përballjes me Blerim Latifin, këshilltar i kreut të PDK-së dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Ka pasur një paqëndrueshmëri rreth pozicionit të taksës. Herë thoshte se Partia Demokratike është meritorja për taksë, pastaj propozonte pezullim. Pastaj me një periudhë të mëvonshme prapë insistonte që taksa të mbetet”, ka deklaruar anëtari i kryesisë së AAK-së, Anton Berisha, derisa në debat është diskutuar për mospajtimet mes Kryeministrit në largim Ramush Haradinaj dhe ish-partnerit të koalicionit PAN, Kadri Veselit të PDK-së.

“Dhe rreth diskutimit të kufijve, zotëri Veseli ka qenë nganjëherë i heshtur në periudha të gjata, dhe ka qartësuar pozicionin vetëm pas shpalljes së zgjedhjeve”, ka thënë tutje Berisha.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart