Berisha nënshkruan me Prishtinën: Kam respekt për Superligën e Kosovës, Prishtina klubi më i madh - Gazeta Express
string(95) "berisha-nenshkruan-me-prishtinen-kam-respekt-per-superligen-e-kosoves-prishtina-klubi-me-i-madh"

Futboll

Gazeta Express

22/09/2021 14:41

Berisha nënshkruan me Prishtinën: Kam respekt për Superligën e Kosovës, Prishtina klubi më i madh

Futboll

Gazeta Express

22/09/2021 14:41

Besart Berisha ka thënë se qëllimi kryesor pse vendosi ta vazhdojë karrierën në Superligën e Kosovës ka qenë kryekëput për ta ndihmuar Prishtinën dhe lojtarët e rinj me përvojën e tij, pasi nënshkroi zyrtarisht marrëveshje me kampionen e Kosovës të mërkurën.

Prishtina e prezantoi Berishën në atë që po vlerësohej si transferimi më i madh në historinë e futbollit kosovar të mërkurën në një konferencë për media, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Klubi nuk i ka bërë të ditura hollësitë e marrëveshjes.

Duke folur për arsyet pse vendosi të kthehej në vendlindje për ta vazhduar karrierën në moshën 36-vjeçare, Berisha tha se synon ta shkruajë historinë e futbollit në vend me klubin bardhekaltër.

“Klubi Prishtina ka traditë, është klubi i madh. Për mua ka qenë gjithmonë Prishtina dhe kështu do të mbetet”, tha Berisha.

I pyetur nëse është joshur nga ndonjë pagë e majme, Berisha këmbënguli: “Qëllimi im nuk ka qenë financiar, ka qenë më ardhur në Prishtinë sepse këtu jam lindur dhe këtu e kam nisur karrierën. Kam pasur dëshirë të vij në një klub që e dua dhe që dëshiroj ta ndihmoj. Qëllimi ka qenë të vij t’i ndihmoj Prishtinës dhe lojtarëve të rinj me përvojën që e kam fituar jashtë.

“Dëshira ime është ta fitoj ndonjë titull me klubin dhe për të krijuar historinë me klubin, jo vetëm për të shënuar gola individual, kjo është shumë e rëndësishme për mua. Plisat janë njëra prej arsyeve pse kam ardhur sepse i dua shumë. Pa ta nuk mund të luajmë. Mezi pres t’i shoh në stadium. Ata janë lojtari i 12-të i jonë. Shpresoj se do t’i gëzoj.”

Berisha u largua nga Australia pas një dekade si golashënuesi më i mirë në historinë e A-League, me 142 gola.

Përveç katër titujve të kampionit në ligën elitare australiane, Berisha i fitoi dy tituj kampioni në Premiership dhe FFA Cup më 2015.  

Ai e lartësoi nivelin e futbollit në Superligën e Kosovës.

“Nuk mendoj se do të jetë lehtë dhe se do të jap shumë gola. Liga e Kosovës është forcuar dhe ka ekipe të forta, kam respekt për të. Unë dua të luaj siç kam luajtur gjithmonë, ta ndihmoj klubin dhe jo të mendoj se jam më i mirë se të tjerët”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, ka thënë se klubi ishte munduar për një kohë të gjatë ta bindte Berishën të kthehej në vendlindje.

“Me Berishën kemi qenë në kontakt vazhdimisht. Berisha ka qenë gjithmonë i gatshëm, por fatkeqësisht ka qenë larg”, tha Ejupi.

Ai shtoi: “Lojtarët si Berisha, me bagazh nga ligat evropiane, gjithnjë do t’i kenë dyert e hapura te FC Prishtina”./Gazeta Express/