Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh gjatë takimit me FRPD, se të rinjtë janë në krye të misionit të Partisë Demokratike për të shpëtuar Shqipërinë. Ai ftoi çdo të ri t’i bashkohet lëvizjes së madhe për të shpëtuar vendin në këto kohë kritike.
“Nëse PD ka një mision së bashku me forcat e tjera opozitare shpëtimin e Shqipërisë në këto kohëra kritike për të, në krye të këtij misioni qëndron FRPD, qëndrojnë të rinjtë opozitarë. Të bashkohemi në një lëvizje të madhe. Duhet t’u rikthejë liritë e vërteta shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Berisha ishte i shoqëruar edhe nga Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Kreu i FRPD tha se të rinjtë në datën 7 korrik do të japin mesazhin e fortë se rinia e këtij vendi është gjallë dhe më e fortë se kurrë.
“Na keni mbështetur në 6 vite e gjysmë në çdo kauzë opozitare, në çdo protestë. Jam i bindur se sikundër keni shkëlqyer në çdo aktivitet, në çdo protestë, në çdo fushatë elektorale, ku keni qenë të parët për të bërë punën dhe të fundit për kërkesa, sërish edhe në 7 korrik, në orën 7 para Kryeministrisë do të jepni një mesazh se rinia e këtij vendi është gjallë, është më e fortë se kurrë dhe se Shqipërinë po, do ta bëjmë ne, do ta bëjmë si Europa, do ta bëjmë së bashku me Partinë Demokratike. Ju ftoj të protestojmë për një nga kauzat më madhore, për dëmin më të madh që po i ndodh vendit, shpopullimin. Por mbi të gjitha të protestojmë edhe kundër çdo afere korruptive që na ka rrëmbyer të ardhmen. Vetëm pak orë më parë, një rast skandaloz, dy të moshuar 94 dhe 95 vjeçar zotëronin një kompani prej 35 mln dollarësh ku pastroheshin paratë e inceneratorëve. Një aferë korruptive që rëndon xhepat e qytetarëve për 35 vitet e ardhshme”, u shpreh Këlliçi./Express