Beqaj në shënjestër të ambasadorit amerikan – vetë i dyshuar për korrupsion tash edhe drejtorin e ka të dënuar


Gazeta Express
18 Qershor 2019 10:54

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, është një prej të akuzuarve në aferën e famshme të njohur si rasti ‘PRONTO’, në të cilën janë të përfshirë shumë zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Beqajn që ta punësojë në Ministrinë e tij një drejtor i cili është i dënuar për korrupsion.

Për këtë ka reaguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili thotë se një vendim i tillë i ministrit Beqaj është fyerje për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Në kategorinë e ‘emërimeve të pakualifikuara, Ministria e Inovacionit ka emëruar për drejtor ligjor një person të dënuar për korrupsion, vendim të cilin e ka mbështetur edhe Apeli. Një fyerje për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kosnett në një reagim në profilin e tij zyrtar në Twitter, raporton Gazeta Express.

Këto janë reagime të përjavshme të ambasadorit amerikan Kosnett, i cili ndjek nga afër përparimin dhe regresin e institucioneve të Republikës së Kosovës, sa i përket fushës së sundimit të ligjit.

Ministri Beqaj të dielën ka marrë pjesë edhe në Konventën e 9-të të Partisë Demokratike të Kosovës, prej ku është zgjedhur përsëri anëtar i Këshillit Drejtues të kësaj partie.

Ndërkohë, Kadri Veseli, pas rizgjedhjes në krye të PDK-së, ka mbajtur një fjalim, në të cilin thoshte se do ta “çlirojë Kosovën nga korrupsioni, njësoj sikurse e kishte çliruar nga Serbia”.

E gjithë këtë fjalim Veseli e ka mbajtur para syve të bashkëpartiakut të tij, Besim Beqaj, i cili është nën hetime për korrupsion, dhe tash së fundi për drejtor të Ministrisë së tij ka zgjedhur edhe një drejtor të dënuar për korrupsion.

Më herët ishte përfolur se Beqaj do të largohet nga posti i ministrit si pasojë e aktakuzës për rastin ‘Pronto’, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart