Belegu thotë se Thaçi ishte kundër Ushtrisë kur Qeveria Haradinaj e procedonte atë në Kuvend


Gazeta Express
4 Tetor 2019 23:25

Kandidati i Koalicionit AAK-PSD për deputet dhe nënkryetari i AAK-së, Erolld Belegu, në një postim të tij në Facebook i ka radhitur arsyet pse, sipas tij, nuk duhet të votohen partitë kundërshtare. Në këtë postim, Kadri Veselin e quan Shefin e Shefave të Shefave, kurse PDK-në Pronto Parti, duke i përmendur futjen në listë të nipit të Adem Grabovcit, Valon Grabovcin, për të cilin thotë se ka përfituar tendere milionëshe nga institucionet vetëm gjatë një viti. VV-në e quan parti që dëshiron ta bëjë shërbimin ushtarak të obligueshëm si në Korenë Veriore, kurse ekonominë dëshiron ta kthejë në atë të kohës së socializmit. Për LDK-në thotë që brenda është e pandryshuar, pasi që, siç shkruan Belegu, ajo kontrollohet nga po të njëjtit që e kanë mundësuar kapjen e shtetit nga Hashim Thaçi.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë:

“Të dashur qytetarë, nën 36 orë kanë mbetur deri te hapja e vendvotimeve, kurse opcionet janë tejet të qarta se për kë duhet të votoni.

Ne, gjatë mandatit të kaluar:

· e kemi krijuar ushtrinë

· e kemi vendosur taksën 100% për mbrojtje të integritetit territorial

· e kemi mbrojtur përfundimisht Trepçën dhe shumë arritje të tjera

Edhe gjatë mandatit të ardhshëm garantoj personalisht që do të:

· krijojmë sigurimet sociale

· bëjmë Kosovën shtet të sportit

· bëjmë Kosovën djep të IT-së e shumë të tjera që i kam përmendur gjatë fushatës, që ta bëjmë Kosovën 100%

Në anën tjetër e kemi Pronto Partinë në krye me Shefin e Shefave t’Shefave, me premtimin qesharak se do ta luftojë korrupsionin, duke thënë se i ka pastruar listat, edhe pse në të njëjtën kohë në listë e ka Valon Grabovcin, nipin e Shefit të Shefave, që ka fituar tendera në vlera disa-milionëshe nga institucionet vetëm brenda një viti. Pronto Partia me këtë synon kapjen totale të shtetit.

VV-ja premton që do ta kthejë ekonominë në ekonomi socialiste si pas vitit 1945 dhe të na obligojë të rinjtë ta kryejnë shërbimin ushtarak si në Korenë Veriore.

E LDK-ja, si LDK-ja – pa marrë parasysh kënd e kanë vendosur në postera të fushatës, është e kontrolluar nga kllapa e vjetër, e cila nga paslufta e ka mundësuar kapjen e shtetit nga Hashim Thaçi, i cili e kundërshtonte ligjin për ushtrinë kur e proceduam në Kuvend në vitin 2017. Fatmirësisht, fuqia e tij në kohen kur e kundërshtoi ushtrinë ishte e zbehtë dhe sot kemi Ushtri.

Koalicioni 100% është opcioni i vetëm, me Ramush Haradinajn, njeriun e fjalës dhe të palëkundur për vendime të vështira, por të domosdoshme.”

Te fundit


Kthehu lart