BE për Express komenton refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje - Gazeta Express
string(79) "be-per-express-komenton-refuzimin-e-listes-serbe-per-te-marre-pjese-ne-zgjedhje"

BE për Express komenton refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje

Lajme

Gazeta Express

27/03/2023 11:16

Brenda muajve të fundit, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për dy marrëveshje, por Lista Serbe sërish nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës. Bashkimi Evropian, kësaj radhe, nuk ka bërë thirrje që zgjedhjet të shtyhen, por shpreh keqardhje që Lista Serbe s’po e shfrytëzon të drejtën për të garuar.

“Duke qenë se zgjedhjet janë gurthemeli i demokracisë, BE-ja ka nënvizuar gjithmonë rëndësinë e përfshirjes në to. BE-së i vjen keq që Lista Srpska nuk e shfrytëzoi të drejtën e saj demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje të pjesshme. Sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësore dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Lexo Edhe:

Lista Serbe është e vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet që priten të mbahen në prill, për kryetarë dhe kuvende komunale të katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Fillimisht këto zgjedhje ishin shpallur nga Presidentja Osmani më 18 dhjetor, por, pas presionit të ndërkombëtarëve, ato u shtynë.

Zgjedhjet ishin shpallur, pasi kryetarët e këtyre komunave që ishin të Listës Serbe, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në vazhdën e dorëheqjeve masive të serbëve të veriut nga institucionet publike të Kosovës.

Lista Serbe, parti e cila dirixhohet nga Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, ka thënë se arsyet e mospjesëmarrjes në zgjedhje është mospërmbushja e kushteve të saj.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, është thënë në njoftim të LS-së, të lëshuar më 23 mars.

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në në Tëitter në të njëjtën ditë se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.

Edhe shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë reaguar për refuzimin e Listës Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje. Në një deklaratë të përbashkët të QUINT-it është thën se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës janë në përputhje me ligjet. /Express/