BE-ja urdhëron prodhuesit e veturave të instalojnë kufizues elektronikë të shpejtësisë


Gazeta Express
26 Mars 2019 17:30

Sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian, të cilat do të fillojnë të zbatohen nga viti 2022, të gjitha veturat e reja duhet të jenë të pajisura me kufizues elektronikë të shpejtësisë.

Modelet e reja të veturave duhet të jenë të pajisura me sistemin “Intelligent Speed Assistance” brenda tre vjetëve të ardhshëm pasi Komisioni Evropian e miratoi legjislacionin për këtë çështje.

Propozimi përfshin një varg masash të sigurisë, të cilat pritet të votohen edhe në Parlamentin Evropian dhe në parlamentet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në shtator.

Këto rregulla do të hyjnë në fuqi edhe në Britani të Madhe pasi autoritetet për siguri rrugore në këtë shtet kanë thënë se planifikojnë t’i zbatojnë rregullat e Bashkimit Evropian edhe pas daljes së këtij shteti nga blloku.

Për më tepër, veturat e reja duhet të jenë të pajisura me sistem të frenimit emergjent, sistem për mbajtjen e veturës brenda shiritit rrugor, sistem për vlerësimin e gjendjes së shoferit dhe kamera të vendosura në pjesën e prapme.

Me rregullat e reja kërkohet që veturat ta përshtasin shpejtësinë përmes kufizimit të fuqisë motorike. Sidoqoftë, vozitësit mund ta rrisin shpejtësinë vetëm në rastet kur e tejkalojnë një veturë tjetër që është duke zhvilluar shpejtësi shumë të vogël, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart