Batatina iu drejtohet tifozëve pas humbjes së Llapit nga Feronikeli


Gazeta Express
15 Maj 2019 22:38

Trajneri Tahir Batatina i është drejtuar tifozëve të Llapit me një mesazh pas humbjes kundër Feronikelit në javën e parafundit të Superligës të mërkurën në Podujevë.

Arbër Prekazi, Mendurim Hoti dhe Kastriot Rexha shënuan golat e fitores së Feronikelit 3:1 ndaj Llapit në stadiumin Zahir Pajaziti, që nënkupton se skuadra llapjane e ka humbur mundësinë për ta mbyllur sezonin në vendin e dytë, raporton Gazeta Express.

Llapi, që ishte në garë për titull dhe për një vend në fazën parakualifikuese për garat evropiane, humbi gjithçka dy javë para fundit të sezonit, kjo pasi tani ngel gjashtë pikë prapa vendit të dytë, Prishtinës, me një ndeshje në dispozicion deri në fund.

Batatina zgjodhi rrjetin social Facebook për ta shprehur krenarinë dhe dashurinë për skuadrën, lojtarët dhe tifozët e Llapit.

“Jam krenar që jam në shërbim të qytetit tim dhe klubit të zemrës dhe që kam në skuadër lojtarët më profesionistë në Kosovë “Respekt për mbështetjen e ‘Legjendave’ dhe qytetarëve të llapit dhe Gollakut. FORCA LLAPI!” shkroi ai.

Në ditën finale të Superligës këtë fundjavë, Llapi udhëton drejt Prishtinës për t’u përballur me Flamurtarin. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart