Basha tregon përse s’pranon të ulet në tryezë, përgjigjja për ftesat e Ramës - Gazeta Express
string(74) "basha-tregon-perse-spranon-te-ulet-ne-tryeze-pergjigjja-per-ftesat-e-rames"

Basha tregon përse s’pranon të ulet në tryezë, përgjigjja për ftesat e Ramës

Gazeta Express

07/12/2019 9:07

Kryedemokrati Lulzim Basha u rikthye sërish dje në qytetin e Durrësit, pikërisht në një kompleks 12- katësh, në të cilin nuk ka ende një përgjigje finale nëse është i banueshëm apo jo.

Nga atje, kryedemokrati Lulzim Basha, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, ndër të tjera, iu përgjigj pyetjes së banorëve se përse nuk ka pranuar që të ulet në tryezë me qeverinë për çështjen e tërmetit. Sipas kreut të selisë blu, kjo situatë nuk duhet të përdoret për përfitime politike, ndaj ai shtoi se më shumë sesa një foto mes tij dhe Kryeministrit, vlen dërgimi i shqetësimit të qytetarëve te qeveria.

Lexo Edhe:

“Qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karrigen tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”, tha Basha.

Më tej, kreu i selisë blu tha se të njëjtën gjë do t’i kishte kërkuar edhe ai opozitës nëse do të ishte në pushtet.

“Edhe po të ishim në role të ndryshme, ne në qeveri dhe ata në opozitë, këtë do kërkoja nga ata. Nuk do kërkoja të bëja fotografi bashkë. Do t’u kërkoja ‘merrni zërin e njerëzve na e sillni dhe shikoni si po e bëjmë ne punën se këtë detyrë ka opozita. Po u shkri opozita, nuk ka më kush t’ju mbrojë”, vijoi kryedemokrati.

Më tej, një tjetër qytetar i tha kryedemokratit se ata duan një fjalë përfundimtare nëse është apo jo i banueshëm, në mënyrë që të dinë se çfarë do të bëjnë. Në lidhje me këtë shqetësim të tyre, kryedemokrati Basha kërkoi nga qeveria që të shtohet numri i ekspertëve, të cilët bëjnë aktkonstatimin e ndërtesave.

“Ajo që po kërkojmë ne, është të rritet numri i vlerësuesve, por që të jenë të certifikuar nga shteti, pasi kjo nuk është punë partish. Problemi kryesor që shoh është se, duke mos pasur vlerësime, njerëzit, ndihen të pasigurt, të paqetë, se edhe po qe lajm i keq, njeriu e ndan mendjen”, vijoi Basha.

RIKONSTRUKSIONET

Teksa u takua me banorët e një tjetër lagje në Durrës, kreu i PD-së ngriti një tjetër shqetësim. Numri një i opozitës kërkoi nga qeveria që të nisë puna pa humbur kohë për rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat nuk kanë dëmtime në strukturë, por në mure. Sipas Bashës, edhe pse ka 11 ditë që nga tërmeti, qeveria ende nuk ka nisur punën për riparimin e atyre ndërtesave që nuk paraqesin dëmtime serioze.

“Kanë kaluar 11 ditë nga tërmeti dhe ende nuk ka nisur puna për rikonstruksionin e objekteve të dëmtuara që janë të riparueshme. Duhet të nisë puna pa humbur kohë për rikonstruksionin e banesave në mënyrë që banorët t’i rikthehen jetës normale. Duhen alokuar fonde pa humbur kohë. Nuk mund të lihen qytetarët në fatin e ndihmave, ndërsa paratë e taksave të tyre shkojnë te 10 oligarkë”, tha Basha.