Basha: Rama e di mirë, palo zgjedhje pa opozitën nuk ka


Gazeta Express
12 Prill 2019 12:47

Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë një takim me qytetarët në Fier u shpreh se Edi Rama dhe banda e tij kanë humbur çdo legjitimitet moral dhe politik.

Sipas tij Rama e di fare mirë se zgjedhje, palo zgjedhje-zgjedhje fallco, pa opozitën nuk ka për të pasur.

Basha u shpreh se kjo qeveri është kërcënimi më i madh për sigurinë e njerëzve, si shkaktari numër 1 i varfërisë, mjerimit, braktisjes së vendit, ndaj PD e gatshme të udhëheqë shqiptarët drejt ndryshimit.

 “Të gjitha sondazhet tregojnë se ne, jo vetëm jemi forca e parë politike në vend, por gëzojmë besimin e shqiptarëve për t’iu përgjigjur krizës me një transformim të thellë politik dhe ekonomik”, tha ai.

Kreu i opozitës tha se Edi Ramës i kanë rënë të gjitha alibitë dhe çdokush e ka të qartë se pushteti i tij nuk buroi nga vota e qytetarëve, por nga bashkëpunimi me oligarkinë.

“Banda në pushtet e Edi Ramës që ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik, sot qëndron si kërcënimi më i madh për sigurinë e njerëzve, si shkaktari numër 1 i varfërisë, mjerimit, braktisjes së vendit. Edi Rama dhe banda e tij e dinë fare mirë se zgjedhje palo-zgjedhje, zgjedhje falso pa opozitën nuk ka për të pasur. Kauza e çlirimit të Shqipërisë nga banda e Edi Ramës është përqafuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, që i janë bashkuar thirrjes, kushtrimit dhe emergjencës kombëtare “Rama ik”.

Lulzim Basha tha se është përgjegjësi e PD t’i udhëheqë  shqiptarët për realizimin e projektit që transformon Shqipërinë nga një vend bazë operacionale për krimin e organizuar, siç e quan Departamenti i Shtetit, në një vend që siguron mundësi dhe mirëqenie për qytetarët e saj.

“Kjo është arsyeja se pse të gjitha matjet dhe studimet e opinionit publik tregojnë sot, se ne, jo vetëm jemi forca e parë politike në vend, por gëzojmë besimin e shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm për të kaluar këtë krizë, por për t’iu përgjigjur kësaj krize me një transformim kaq të thellë politik dhe ekonomik, saqë të pamundësojmë sot e përgjithmonë, që fati i vogëlushëve shqiptarë, fati i studentëve shqiptarë, fati i të punësuarve që kanë frikë për sigurinë e punës, fati i të papunësuarve që enden rrugëve në kërkim të punës, fati i pensionistëve, i prindërve tanë, kurrë më të mos bjerë në duart e një njeriu të korruptuar apo një pale të korruptuar si kjo, e organizatës kriminale të Rilindjes.”

Lideri i opozitës vuri në dukje se për shkak të bashkëpunimit me krimin, qeveria i ka mbyllur Shqipërisë derën e Evropës për 6 vjet me radhë, duke u kthyer në kërcënimin më të madh për shqiptarët. Për ta ndryshuar sa më shpejt këtë realitet, Lulzim Basha, tha se bashkimi me protestën e 13 Prillit është vendimi i duhur për çdo qytetar që e do Shqipërinë si gjithë Evropa.

“Stabiliteti në Shqipëri është kërcënuar nga krimi i organizuar, në partneritet me qeverinë, ndaj e vetmja rrugë për të ri themeluar stabilitetin afatgjatë të këtij vendi është ajo që kalon përmes demokracisë së vërtetë, zgjedhjeve vërtetë të lira e të ndershme dhe drejtësisë së vërtetë, që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin, me kriminelët bashkëpunëtorë të tyre. Prandaj beteja jonë është e vetmja betejë për stabilitet të vërtetë dhe është një leksion për popujt e tjerë të Ballkanit, se ky vend edhe njëherë, do t’i prijë integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke pranuar, imponuar dhe zbatuar asgjë më pak se standardet evropiane për qytetarët tanë dhe vendin tonë.”

Te fundit


Kthehu lart