Naftëtarët e Ballshit sot janë futur në ditën e 12 të grevës dhe ende nuk kanë asnjë shpresë për të marrë zgjidhje për 6 rrogat e pa marra nga kompani të ndryshme.
Megjithëse gjendja shëndetësore është e rënduar ata kanë refuzuar të marrin shërbim mjekësor. Përfaqësuesi i grevistëve Sokol Dautaj thotë se do ti drejtohen ambasadave sepse aktorë të tjerë në vendin tonë nuk po reagojnë.
“Politika nuk po reagon. Lamë afat por nuk e zbatuan. Do ti drejtohemi ambasadave”, ka thënë drejtuesi i grevës Dautaj.
Dje grevisti Pirro Hoxhara është dërguar me urgjencë në spitalin e Ballshit ndërsa raportohet se ka pasur probleme me tensionin.
Sakaq në grevë janë edhe punonjësit e nënstacionit elektrik të Poçemit dhe sot për ta është dita 13-të e grevës të cilët gjithashtu kërkojnë 27 rrogat e prapambetura.
Punonjësve të uzinës së Ballshit u është shprehur mbështetja edhe nga minatorët e Bulqizës dhe punonjësit e nënstacionit të Poçemit.
Kompania që ka në zotërim uzinën e Ballshit, ‘Tosk Energy’ dhe Bankers akuzojnë njëra tjetrën për mosrespektim të marrëveshjes, por e gjithë kjo vonesë bie mbi naftëtarët.
Naftëtarët kanë deklaruar se greva do të vazhdojë deri në momentin që problemi i tyre do të marrë zgjidhje.