Basha: Parakusht për dialog është largimi i Ramës, hyjmë në zgjedhje vetëm kur ato të garantohen!


Gazeta Express
18 Prill 2019 18:56

Kryetari i PD-së Lulzim Basha është shprehur se opozita nuk do të hyjë në zgjedhje si ato të vitit 2017, dhe se parakusht për hapjen e dialogut me maxhorancën është vetëm një pikë, largimi i kryeministrit Edi Rama.

Basha: Vendimi është i qartë PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Largimi i Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm për nisjen e dialogut politik me PS, dialog i cili duhet të çojë në një qeveri tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I pyetur sesi pretendon të arrijë në këtë pikë, Basha është shprehur se detajet do t’i bëjë publike në vijim, porse sot ka dalë për të deklaruar se me Ramën në krye të qeverisë nuk do të ketë as dialog e as zgjedhje, një mesah ky në rradhë të parë për zgjedhjet e qershorit, për të cilat Basha më herët ka thënë se ato do të shtyhen.

Basha: Partia Demokratike angazhohet të pamundësojë çdo krim si zgjedhjet e 2017, të pamundësojë një tjetër skenar kriminal zgjedhor.

-Kryeministri nuk tërhiqet, si do i pamundësoni zgjedhjet?

Basha: Do të kemi kohë ti diskutojmë të gjitha detajet. Sot mesazhi është ky, pa largimin e Edi Ramës nuk ka dialog, dhe ne do të vazhdojmë protestën tonë.

-Keni patur ftesë për dialog për reformën zgjedhore

Basha: Prakushti i vërtetë është largimi i tij, shkaktari i kësaj krize të shumëfishtë.

Kujtojmë se sot PD ka miratuar në mbledhjen e kryesisë 3 pikat e propozuara nga Basha:

1.      Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Situata aktuale politike në Shqipërisë, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me  krimin e organizuar për blerjen e votave.
2.      Partia Demokratike e Shqipërisë të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3.      Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e interesit publik dhe formalizimin e aksionin opozitar për arritjen e këtyre qëllimeve./Express

Te fundit


Kthehu lart