Basha: Do luftojmë dhëmb për dhëmb në çdo qendër votimi, më 30 qershor nuk ka zgjedhje!


Gazeta Express
25 Prill 2019 18:55

Lideri i opozitës lulzim Basha ka bërë një paralajmërim të fortë, duke deklaruar se më 30 qershor jo vetëm që nuk do të ketë zgjedhje, porse qytetarët dhe opozita do të luftojnë “sy për sy e dhëmb për dhëmb” në çdo qendër votimi që të mos lejojnë edhe njëherë “përdhunuesin serial të zgjedhjeve” Edi Rama.

Nga autostrada në Milot, Basha ka deklaruar se që nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor e di “bufi” por edhe “vëllai” i bufit Edi Rama. Basha ka paralajmëruar po ashtu se akti i sotëm i bllokimit të 5 akseve kryesore nacionale, është vetëm fillimi apo akti i parë i mosbindjes civile të shqiptarëve.

Basha: Falenderoj të gjithë shqiptarët e ndershëm, të gjithë protestuesit që nisin sot aktin e mosbindjes civile si dëshmi dhe provë e forcës së pathyeshme të popullit shqiptar dhe forcës tonë për ta çuar deri në fund betejën e nisur, për ta kurorëzuar me fitore.

Zonja e zotërinj, njësoj si shumë shqiptarë, vendi ynë ndodhet në një dudhëkryq të rrezxikshëm ku e ka sjellë njeriu më i korruptuar e më i paaftë që njeh historia e pluralizmit.

Arroganti, hajduti, mashtruesi Edi Rama i cili me bandën e tij brenda 6 viteve i vuri shkelmin demokracisë, shkatërroi ekonominë dhe solli krimin në sofër dhe vrau shpresën duke detyruar 500 mijë shqiptarë të braktisin vendin e tyre.

Shumë prej jush kanë ardhur këtu në mbështetje të kauzës jetike për zgjedhje të lira, sepse pa to nuk mund të ketë dalje nga kriza e skajshme. Ju e dini fare mirë sesa më i varfër të jenë shqiptarët aq më e lehtë është për këta sundimtarë të korruptuar që të kapin çdo gjë. Vendime të padrejta, vendime kriminale si ai i karburanteve që e ka bërë karburantin më të shtenjtin në Evropë në vendin më të varfër të kontinentit. Ky njeri ka shkatërruar bizneset, ka shpunësuar qindra mijëra familjarë dhe e ka bërë të pamundur për të rinjtë të gjejnë punë duke i shtyrë drejt emigrimit.

Vetëm një uzurpator që e ka lidhur fatin me kriminelët e hajdutët oligarkë mund të marrë vendime kriminale si ajo e largimit nga shtëpitë e tyre si ajo e banorëve të bregut të lumit në Tiranë.

Zonja dhe zotërinj, themeli i kësaj të keqë është rënia e demokracisë, sepse pa votë të lirë nuk ka demokraci, pa zgjedhje të lira nuk ka qeveri të mirë që i jep llogari popullit të saj. Pa zgjedhje të lira nuk hapen dyert e Evropës.

Ne jemi të vendosur se kështu nuk vazhdohet dhe se kështu nuk do të vazhdohet më. Kam nderin dhe privilegjin të vij këtu me mesazhin se PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh politik, moral e numerik, është maxhoranca e të gjithë shqiptarëve për ta çliruar vendin nga krimi dhe korrupsioni. Por së pari do duhet të çlirojmë zgjedhjet pasi ato na kanë sjellë deri këtu. Rama e ka lidhur fatin e tij me kriminelët e hajdutët.

Por ora e Shqipërisë çiflig i Ramës dhe 20 hajdutëve të tij po mbaron. Një orë e re po troket. 10 javë më parë ne morëm vendimin historik për të zhveshur opozitën nga çdo imunitet e privilegj për të qëndruar siç po qëndrojmë krah për krah me qytetarët. Ne do ta fitojmë këtë betejë për Shqipërinë dhe demokracinë.

Me 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri, këtë e di dhe bufi, edhe vëllai i bufit Edi Rama. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Edi Ramës. Opozitë jemi vetëm ne, të bashkuar me popullin. Nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje sepse ne jemi të vendosur që të mos lejojmë më kurrë krimin elektoral që është nëna e krimeve ekonomike, e varfërisë dhe papunësisë e njeriut më të korruptuar në 30 vite pluralizëm, Edi Ramën. Jemi sot këtu për të dëshmuar vendosshmërinë tonë. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme, ne nuk do të lejojmë me asnjë mjet, me asnjë çmim zgjedhje false! Nuk do të ketë më zgjedhje të tilla. Ta dijë mirë Edi Rama se në burg do të shkojnë ata që do të hyjnë në zgjedhje. Në burg do të shkojë Vangjush Dakon, Edi Rama e Damian Gjiknuri, që janë kapur duke trafikuar votën e shqiptarëve. Çdo qytetar e ka për detyrë të bashkohet. Në asnjë qendër votimi nuk do të lejojmë të përsëritet krimi elektoral. Mos të lejojmë më krimin elektoral, por të luftojmë sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë për liri dhe demokraci. Vetëm kështu mund të kthejmë  stabilitetin.

Te fundit


Kthehu lart