Publicisti shqiptar, Bardhyl Mahmuti është shprehur i habitur me një deklaratë të ushtruesit të detyrës së Kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhajt, lidhur me aktakuzat e ngritura nga Gjykata Speciale kundër krerëve të UÇK’së.
Mahmuti ka thënë se Hoxhaj po e rivlerëson gabimisht historinë e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, duke e zbritur “në nivel masakrash dhe krim kundër njerëzimit!”, shkruan Gazeta Express.
“Përshëndetje Enver,
Më habit qëndrimi jot injorues ndaj realitetit tragjik në Kosovë.
Në reagimin tënd të publikuar në Facebook dhe të titulluar “Kosova sërish ndodhet para një sfide të madhe. Partia Demokratike e Kosovës ndodhet para një sfide të rëndë” ti deklaron se :
“Dy udhëheqësit emblematikë të luftës së UÇK-së po përballen me sfidën më të panevojshme e absurde të ngritjes së aktakuzës kundër tyre!” dhe vazhdon me konstatimin se: “Në rrugën e saj të gjatë e plot sakrifica Kosova bëri një luftë të drejtë kundër një pushtuesi i cili kreu masakra dhe krim kundër njerëzimit dhe për të cilën gjë u alarmua bota e qytetëruar dhe përkrahu luftën tonë të drejtë!”. Nuk ka absurd më të madh se vetëm një ditë pasi që të është besuar detyra e ushtruesit të detyrës së kryetarit të partisë, të rivlerësosh të kaluarën tragjike të Kosovës dhe të heqësh nga diskursi partiak kualifikimin “gjenocid” të krimeve që ka bërë shteti serb ndaj shqiptarëve dhe ta zbresësh gjenocidin në nivel masakrash dhe krim kundër njerëzimit!”, ka shkruar Mahmuti.
Ai ka thënë se figurat thelbësore të UÇK-së si Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi e Kadri Veseli e përdorin gjithmonë termik e saktë “gjenocid”, kur flasin për atë çfarë ka bërë Serbia në Kosovë, duke rikujtuar se ajo përkufizihet me rezolutë të Kuvendit të Kosovës.
“Nëse ke nevojë do t’i citoj me mijëra herë kur Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, si figurat emblematike të luftës së UÇK-së dhe themelues të PDK-së përdorin terminologjinë e saktë: GJENOCID sa herë që i referohen asaj që ka bërë Serbia në Kosovë.
Nëse ke nevojë do të citoj iniciativën e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015, për të miratuar një rezolutë që përkufizon qartë se ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid! Nëse ke nevojë do ta rikujtoj faktin se më 16 maj 2019 Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën nëpërmjet të cilës krimet që kanë ndodhur në Kosovë cilësohen GJENOCID!
Nëse asgjë tjetër, si ushtrues i detyrës së kryetarit të partisë e ke për obligim që të respektosh qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe të institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Mahmuti.
Ai ka shtuar se “Mbetem me shpresë se në të ardhmen do të harmonizosh qëndrimet e tua me qëndrimet zyrtare të PDK-së dhe do të përdorësh terminologjinë e saktë për gjenocidin në Kosovë”. /GazetaExpress/
NJOFTIM Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton të gjithë ish punëtorët e Ndërmarrjeve Shoqërore: Mulliri në Gorazhdec, KB Ponoshevci në...