Barcelona po përgatitë largimin e Ronald Araujos – tre emra në listë për ta zëvendësuar - Gazeta Express
string(85) "barcelona-po-pergatite-largimin-e-ronald-araujos-tre-emra-ne-liste-per-ta-zevendesuar"

Sport

Gazeta Express

23/06/2025 20:20

Barcelona po përgatitë largimin e Ronald Araujos – tre emra në listë për ta zëvendësuar

Sport

Gazeta Express

23/06/2025 20:20

FC Barcelona është në prag të një revolucionit në repartin mbrojtës për sezonin e ardhshëm, dhe një nga lëvizjet më të bujshme që po përgatitet është largimi i Ronald Araujos. Mbrojtësi uruguaian, që deri vonë konsiderohej shtyllë e skuadrës, ka pësuar rënie në paraqitje dhe brenda klubit tashmë po pranohet se cikli i tij në “Camp Nou” mund të ketë marrë fund.

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka nisur punën për të gjetur pasuesin e Araujos dhe ka përzgjedhur tre emra specifikë në listën e tij.

Emri kryesor është Marc Guehi, qendërmbrojtës i Crystal Palace. Anglezi ka spikatur në Premier League për qëndrueshmërinë dhe maturinë e tij në prapavijë. Ai është i lidhur me klubin londinez deri në vitin 2026, por është i hapur për një transferim. Palace mund të negociojë një çmim të arsyeshëm, duke marrë parasysh se kontrata e lojtarit përfundon pas një viti.

Alternativa e dytë është Cristhian Mosquera, talent i ri i Valencia CF. Në moshën 19-vjeçare, mbrojtësi me origjinë kolumbiane ka impresionuar me pjekurinë taktike dhe forcën në duelet mbrojtëse. Edhe situata e tij kontraktuale është e favorshme për një transferim të mundshëm dhe i përshtatet parametrave financiarë të Barcelonës.

Emri i tretë në listën e drejtuesve katalanas është Antonio Silva, ylli i mbrojtjes së Benficës. Portugezi është cilësuar si një nga mbrojtësit më premtues në Evropë dhe është shumë i pëlqyer nga Deco. Megjithatë, kontrata e tij e vlefshme deri në vitin 2027 mund ta komplikojë transferimin në afatin aktual. Në klub nuk përjashtohet mundësia që të pritet edhe një vit për ta ulur koston e tij.

Barcelona po përgatitet për një verë me vendime të mëdha, dhe largimi i Araujo mund të jetë vetëm fillimi i ndryshimeve në mbrojtje.