Barcelona, gjashtë pikë larg titullit të La Ligës


Gazeta Express
20 Prill 2019 22:42

Barcelona arriti ta fitojë me rezultat 2:1 ndeshjen kundër Real Sociedadit, që u zhvillua sonte në “Camp Nou”, dhe tani është vetëm gjashtë pikë larg titullit të kampiones së La Ligës.

Edhe pse kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të sezonit të La Ligës, Barcelonës do t’i mjaftojnë vetëm edhe dy fitore për ta siguruar matematikisht titullin e kampiones së Spanjës, transmeton Gazeta Express.

Për t’iu afruar këtij titulli i ndihmuan golat e shënuara nga Jordi Alba (64’) dhe Clement Lenglet (45’+1). Në anën tjetër, golin e vetëm të mysafirëve e shënoi Juanmi, në minutën e 62-të të ndeshjes.

Për dallim nga ndeshjet e tjera të zakonshme të Barcelonës, katalonasit nuk e dominuan këtë ndeshje sa i përket posedimit të topit, pasi që Real Sociedadi e mbylli ndeshjen me 50% të posedimit të topit.

Megjithatë, Barcelona u tregua më e mirë me topin në këmbë dhe i krijoi disa raste më të mira në këtë ndeshje, dy prej të cilave nuk arriti t’i konkretizojë në gola. Ndërsa, edhe lojtarët e Real Sociedadit e humbën një rast të mirë për të shënuar.

Këto tri pikë ia përforcojnë pozitën e parë Barcelonës, që tani është nëntë pikë para Atletico Madridit, që radhitet në pozitën e dytë në tabelën e La Ligës. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart