Banorëve të Obiliqit po iu zihet fryma nga tymi dhe era e rëndë


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 19:00

Në komunën e cila nuk është as dhjetë kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, tash e sa ditë qytetarët po përballen me erë të rëndë dhe tym që vjen nga termocentralet e KEK-ut.

Ajri i ndotur i cili po ndodh si shkak i një përzierje të tymit, pluhurit dhe hirit, ka edhe një erë të rëndë, i cili po ua ngacmon frymëmarrjen qytetarëve.

Musa Asllani i cili është banor në këtë komunë po thotë se dita-ditës është bërë e vështirë jetesa në këtë vend. Sipas tij, ditëve të fundit është vërejtur një tym më i theksuar.

“Pluhur, kijamet, ajër i ndotur, papastërti, nuk e di qysh po jetojmë ne në komunë të Obiliqit. Kanë dhënë premtime, nuk ka asgjë as prej Qeverisë, as prej askujt… Qeveria është fajtor, po kush tjetër, kryetari i komunës, Qeveria edhe drejtori i KEK-ut, i cili është kompetent për të vënë filtrat e pastrimit të ajrit. Tymi del pa filtrim e ne e thithim krejt, pastaj vijnë sëmundjet”, thotë ai.

I frustruar për neglizhencën e institucioneve po del të jetë edhe Mehmet Gashi, po ashtu banor i Obiliqit.

“Po ka tym. Krejt udhëheqësia i ka fajet, krejt kryesia i ka fajet”, shprehet Gashi.

Muharrem Shatrolli, derisa fajëson institucionet kompetente për këtë çështje, thotë se gjatë sezonit të dimrit po e kanë shumë të vështirë të përballën me këtë ajër.

“Është evidente ajo, megjithëse filtrat po punojnë tash më mirë, por ka njëfarë tymi, nuk është mirë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë… KEK-u nuk po ndërmerr asgjë këndej, popullata nuk ka se çfarë të bëjë… Është vështirë, sidomos tashmë sezoni i dimrit kur edhe ndezët me qymyr, është shumë më keq”, thotë ai.

Se ajri i ndotur në këtë vend është evident, e thotë edhe Skender Sullova, megjithatë, sipas tij, këto ditë është vërejtur tym më i theksuar që vjen nga oxhaqet e termocentraleve.

“Sidomos në tre të mëngjesit, në katër të mëngjesit ka gjithmonë një erë… gjithherë ka… Shumë e vështirë, shumë”, përfundon ai.

Në lidhje me këtë, drejtoresha e Ambientit në komunën e Obiliqit, Fitore Hashani ka mohuar të ketë pasur ankesa sa i përket tymit. Sipas saj, këto ditë është duke u punuar në riparimet e Kosovës B, dhe se mund të ketë zhurmë gjatë pasdites.

“Ne nuk kemi asnjë ankesë këtyre ditëve sa i përket tymit. E dëshmojnë edhe raportet e Institutit Hidrometeorologjik e edhe raportet e KEK-ut, ndërsa ne jemi në procedurat tenderuese të Laboratorit Mobil, i cili do të bëjë matjet e ndotjes në komunën tonë dhe deri atëherë gjithçka e kësaj fushe është në harmoni me ligjet në fuqi nga MMPH-ja. Në këtë dhjetë ditësh të fundit kemi pasur në intervalet e pasdites kryesisht më shumë zhurmë, kjo si pasojë e riparimeve që po ndodhin në TC Kosova B, por që ne si komunë po jemi të informuar me kohë për zhvillimet që do të ndodhin. Ndërsa për vitet në vazhdim në presim mirëkuptim nga KEK të krijojë brezin e gjelbër si dhe të vazhdojë në investimet në ambient bazuar ne kërkesat e komunitetit si dhe ligjet ne fuqi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Obiliqit”, ka thënë Hashani. /KP

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart