Banorët thonë se pronën në Breg të Diellit e blenë në vitet ’70, një pjesë e saj Komuna e këmbeu për një pronë në Gërmi - Gazeta Express
string(117) "banoret-thone-se-pronen-ne-breg-te-diellit-e-blene-ne-vitet-70-nje-pjese-e-saj-komuna-e-kembeu-per-nje-prone-ne-germi"

Lajme

Gazeta Express

16/05/2026 20:25

Banorët thonë se pronën në Breg të Diellit e blenë në vitet ’70, një pjesë e saj Komuna e këmbeu për një pronë në Gërmi

Lajme

Gazeta Express

16/05/2026 20:25

Gjykata e Apelit në vitin 2024 ka marrë aktgjykim ku i njeh si pronarë banorët për rreth 64 ari në Breg të Diellit, por 16 ari të kësaj parcele Komuna e Prishtinës në vitin 2013 kishte marrë vendim për këmbim me një pronë tjetër në Gërmi. I gjithë ky proces po konsiderohet i dyshimtë dhe jo ligjor.

Qytetari Xhemshit Cakolli, i cili është njëri prej banorëve që thotë se ka hise në këtë parcelë, tregon se kur e kanë blerë pronën në Breg të Diellit.

“Po, ne pronën e kemi blerë në vitin 1971 dhe e kemi shfrytëzuar. Shihni, kemi ndërtuar shtëpitë dhe prej atij viti jetojmë, banojmë dhe veprojmë në këtë pronë tonën. Prej asaj kohe nuk kemi pasur ndonjë problem, por në vitin 1985 Komuna ka bërë një eksproprijim të pronës, jo vetëm tonën, por këtu ka qenë një pronë e madhe, diku rreth pesë hektarë, livadhe dhe ara. Gjatë atij eksproprijimi, kur Komuna ka arritur ta realizojë projektin e vet, ajo nuk na ka penguar fare”, ka thënë ai.

Sipas tij, në kuadër të atij eksproprijimi është përfshirë edhe pjesa e tyre ku momentalisht jetojnë.

“Por ne prej Komunës nuk kemi pasur asnjëherë pagesë apo kompensim lidhur me atë eksproprijim që është bërë. Është bërë pa vetëdijen tonë në kohën e ish-Jugosllavisë së atëhershme, dihet se çfarë vendimesh janë marrë atëherë. Nuk jemi thirrur asnjëherë nëse kërkojmë kompensim apo çfarë kërkojmë”, ka shtuar ai.

Banori tjetër, Asllan Vllasaliu, thotë se ishte vetëm 16 vjeç kur e kanë blerë këtë pronë bashkë me babain e tij. Ai sot është në moshë të shtyrë dhe thotë se asnjëherë nuk arritën ta shfrytëzojnë.

“Ne s’jemi të kompensuar, s’kemi marrë kurrgjë prej Komunës, absolutisht. Sikur kur vjen dikush dhe të thotë dil nga shtëpia jote, pa arsye”, ka thënë ai

Vëllai i tij, Bastri Vllasaliu, thotë se në pjesën e parcelës së tyre kishin hapur edhe pus për të shfrytëzuar ujin për biznesin e autolarjes, por më pas puna iu ishte ndërprerë.

“Pas luftës kemi bërë këtë pllakë, kemi provuar të hapim autolarje dhe për një kohë kemi punuar. Pastaj Komuna, përmes gjykatave dhe procedurave, na e ka ndalur punën. Edhe bunarin e kemi këtu dhe kemi pritur vendimin. Banorët e dinë 100 për qind, cilin banor ta pyesësh e di që kjo ka qenë pronë e jona dhe është pronë e jona”, ka thënë ai.

Edhe Valdet Aliu, i cili thotë se është pronar i një pjese të kësaj prone, tregon se nuk janë lejuar të ndërtojnë.

“Prej vitit 1985 e tutje jemi në kontest gjyqësor me Komunën e Prishtinës. As nuk kemi ndërtuar vetë, as nuk na kanë lënë neve si banorë, të cilët jemi pronarë legjitimë, por është përfshirë edhe pala e tretë, gjë që është shumë nonsens”, është shprehur ai.

Se pronarët e kanë kërkuar vazhdimisht kthimin e kësaj toke dëshmohet edhe në një përgjigje të Komunës së Prishtinës për banorët në vitin 2014, ku i referohet edhe shkresave të viteve 2000, 2007 e më pas edhe 2014.

Në këtë përgjigje të Komunës thuhej se kthimi i paluajtshmërisë së eksproprijuar me aktvendim administrativ nuk është i mundur sipas ligjit të vitit 1978, i cili thotë se pas kalimit të 10 viteve nga dita kur vendimi ka marrë formën e prerë mbi eksproprijimin, nuk mund të paraqitet kërkesë për anulimin e atij vendimi.

Por si u bë që prona e eksproprijuar në vitin 1985 u zgjodh pikërisht për t’u këmbyer me një pronë në Gërmi?

Kuvendi Komunal i Prishtinës, me kryesues Sami Hamitin, pas propozimit të kryetarit të atëhershëm Isa Mustafa, më 27 gusht 2013 kishte marrë vendim për këmbimin e tri pronave njëkohësisht. Në pikën tre të këtij vendimi ishte edhe prona e Mefail Cakollit, e cila këmbehej me një pjesë të pronës në Breg të Diellit, por nuk specifikohej se cila pjesë e kësaj prone.

Prona e Cakollit ishte mbi 16 ari, ndërsa nuk specifikohej sa ari do t’i këmbeheshin në Breg të Diellit

Ky vendim për këmbim të pronave ishte marrë vetëm 2 muaj e 7 ditë, apo 68 ditë para zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013.

Në këtë vendim thuhej se organi kompetent i Ministrisë së Financave do të bëjë vlerësimin e tregut të pronave të Komunës së Prishtinës dhe të atyre private.

Gjithashtu thuhej se pas këtij vlerësimi dhe vendimit të Kuvendit, të dhënat do të publikoheshin në uebfaqen e Komunës dhe në tabelën e shpalljeve, me të dhënat e pronave të këmbyera.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Skema kriminale: Si u bë kompensimi i dyfishtë i pronës në Gërmi me pronën e qytetarëve në Bregun e Diellit?”, i cili transmetohet në T7 dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement