Banorët e Hanit të Elezit, të rrezikuar nga azbesti


Gazeta Express
20 Prill 2019 19:56


Qytetarët e Hanit të Elezit, vazhdojnë të shqetësohen për shëndetin e tyre. Ata dertin po ia mbajnë mbetjeve të azbestit. E kryetari i kësaj komune thotë se, Ministria e Mjedisit ani pse është munduar ta sanojë gjendjen lidhur me këtë problem, ka shkaktuar veç më shumë dëme.

Mbetjet e azbestit në Hanin e Elezit po rrezikojnë jetën e qytetarëve. Në fakt në këtë komunë ka ekzistuar një fabrikë e cila ka prodhuar gypa ujësjellësi, kanalizimi dhe mbulesa pullazesh për objekte përcjellëse të banimit.

“AZBESTI” PO VRET QYTETARËT

Por edhe pas mbylljes së kësaj fabrike në këtë qytet në numër të madh vërehen mbetjet e tij.

Azbesti gjithashtu ka shkaktuar edhe vdekjen e shume njerëzve në këtë zonë.

Se mbetjet e azbestit paraqesin problem për këta qytetar e thonë edhe në Spitalin e kësaj qyteze.

Madje infermierja Luljeta Cajani, thotë se ky material është shkaktari kryesor i tumorit të mushkërive.

E kjo gjendje ka nxitur edhe reagimin e Avokatit të Popullit.

Madje ata kanë nxjerr një raport ku paraqitet shqetësimi i këtij institucioni.

Avokati i Popullit ka konstatuar se institucionet nuk kanë marrë asnjë masë për sensibilizimin e publikut, për rrezikun që paraqesin mbetjet e azbestit.

Ky institucion vërejtje ka edhe për Ministrinë e Mjedisit.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit është munduar që të sanojë këtë gjendje në Han të Elezit.

Por, Kryetari i Komunës thotë se projekti mbi një milionësh i ministrisë i ka shkaktuar vetëm dëme.

E nga MMPH nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje, ndonëse T7 ka tentuar disa herë një gjë të tillë. /ArbërKadriajT7

Te fundit


Kthehu lart