Arinjtë e egër po shfaqin gjithnjë e më pak agresivitet dhe po bëhen më të butë në sjellje – njësoj si Baloo nga Libri i Xhunglës – sipas një studimi të ri shkencor.
Ekspertët kanë zbuluar se ariu i murrmë i Apenineve, i cili jeton në Italinë Qendrore, po evoluon si pasojë e bashkëjetesës së gjatë dhe të afërt me njerëzit. Kjo nënspecie u nda nga arinjtë e tjerë të murrmë evropianë rreth 2.000–3.000 vjet më parë dhe ka mbetur plotësisht e izoluar që nga koha e Perandorisë Romake.
Analizat e fundit tregojnë se kjo popullatë e rrezikuar ka pësuar ndryshime të theksuara, të nxitura drejtpërdrejt nga aktiviteti njerëzor. Shkencëtarët konstatuan se këta arinj kanë trup më të vogël, si dhe forma të veçanta të kokës dhe fytyrës, ndryshe nga arinjtë e murrmë të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë.
Për më tepër, ata kanë evoluar drejt një sjelljeje më miqësore dhe më pak agresive.
“Ne treguam se arinjtë e Apenineve kanë shenja përzgjedhjeje në gjenet që lidhen me agresivitet më të ulët,” shpjegon Andrea Benazzo, autori kryesor i studimit.

Sipas studiuesve, këto dallime gjenetike ka shumë të ngjarë të jenë rezultat i faktit që njerëzit, ndër shekuj, kanë vrarë individët më agresivë. Kjo ka bërë që arinjtë më të qetë të mbijetojnë, të shumohen dhe t’ua transmetojnë gjenet e tyre brezave pasardhës.
Në studimin e publikuar në revistën Molecular Biology and Evolution, thuhet se në natyrë kanë mbetur vetëm rreth 50 individë të kësaj nënspecieje.
“Një nga shkaqet kryesore të rënies së numrit dhe izolimit të tyre ka qenë shpyllëzimi, i lidhur me zgjerimin e bujqësisë dhe rritjen e dendësisë së popullsisë njerëzore në Italinë Qendrore,” thotë Dr. Benazzo nga Universiteti i Ferrarës.
Ndërsa njerëzit vazhduan të eliminonin arinjtë më agresivë, gjenet e individëve më të butë u trashëguan gjithnjë e më shumë, duke ndryshuar gradualisht profilin e popullatës.
Studiuesit paralajmërojnë se ky proces tregon qartë se ndërhyrja e njeriut në habitatet natyrore çon jo vetëm në uljen e numrit të individëve, por edhe në varfërimin e fondit gjenetik, duke rritur rrezikun e zhdukjes. Megjithatë, paradoksalisht, ai ka nxitur edhe një marrëdhënie më pak konfliktuale mes njerëzve dhe arinjve.
“Implikimet e përgjithshme të gjetjeve tona janë të qarta,” përfundon Giorgio Bertorelle, një tjetër autor i studimit.
“Ndërveprimet mes njerëzve dhe kafshëve të egra janë shpesh të rrezikshme për mbijetesën e një specieje, por njëkohësisht mund të favorizojnë evolucionin e tipareve që reduktojnë konfliktin.

Kjo do të thotë se edhe popullatat e goditura rëndë nga aktiviteti njerëzor mund të mbajnë variante gjenetike të vlefshme, të cilat nuk duhen ‘holluar’, për shembull, përmes ripopullimit artificial.”
Ndërkohë, muajin e kaluar, një ekip tjetër shkencëtarësh zbuloi se ndryshimet klimatike po shkaktojnë ndryshime gjenetike edhe te arinjtë polarë në Atlantikun e Veriut. Studiuesit gjetën një lidhje të fortë mes rritjes së temperaturave në juglindje të Groenlandës dhe ndryshimeve në ADN-në e këtyre arinjve.
Këto ndryshime gjenetike mund t’i ndihmojnë ata të përshtaten më mirë me temperaturat më të larta të shkaktuara nga ngrohja globale. Autorja e studimit, Dr. Alice Godden nga Universiteti i Anglisë Lindore, tha se gjetjet ofrojnë njëfarë “shprese” për arinjtë polarë, por theksoi se përpjekjet për të frenuar rritjen e temperaturave globale mbeten thelbësore. /GazetaExpress/