‘Balada e buburrecit’, libri i domosdoshëm i Shpëtim Selmanit - Gazeta Express
string(58) "balada-e-buburrecit-libri-i-domosdoshem-i-shpetim-selmanit"

‘Balada e buburrecit’, libri i domosdoshëm i Shpëtim Selmanit

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:05

Rreth librit ‘Ballata dello scarafaggio’, me përkthim të Fatjona Lamçe, botoi Crocetti editore, 2023

Nga Anna Lattanzi

Lexo Edhe:

Ballata dello scarafaggio (Balada e buburrecit) e Shpëtim Selmanit, botuar në maj 2023 nga Crocetti Editore, me përkthimin e Fatjona Lamçes, është libër i domosdoshëm. Autori, në tregimin e tij, bën një përdorim të pazakontë të pikave; duket sikur dëshiron t’i japë lexuesit kohë të marrë frymë, të mendojë, të jetojë, duke lexuar fjalë që ta ndalin frymën, që projektojnë mendjen drejt të të pabesueshmes, që çojnë mendimin në një botë pa kohë.

Letërsia

Një pendë e pasionuar kjo e Selmanit, një prej autorëve më të çmuar në Kosovë, që, me këtë vëllim të debutimit në Itali, ravijëzon rrugëtimin e jetës së tij (duke e gërshetuar me atë historik të kombit), duke u nisur nga lufta në Kosovë që e gjen atë fëmijë, aktor, pa dashjen e tij, në një tragjedi në të cilën ngatërrohet populli i tij e me të edhe familja e tij.

Një rrëfim i drejtpërdrejtë, i ftohtë, me shqetësimin e vetëm që të transmetojë, të propagandojë, të dhurojë, të përhapë, të ngjallë kapjen e tij të fuqishme pas letërsisë, duke nënvizuar se sa thelbësore është ajo për individin dhe kolektivin. Esenca e saj duhet të jetë e lirë nga nacionalizmat dhe kundërthëniet politike. Letërsia nuk duhet të bëhet kurrë shprehje e një pastriotizmi të sëmurë, pavarësisht se shpesh e gjen veten duke i larë hesapet me të kalaurën.

Rudmilla

Gjatë pandemisë Selmani takon në Zoom dy shkrimtarë, një serbe dhe një zviceran, me qëllim të një bashkëpunimi të mundshëm. Në njërin prej takimeve të tyre, autorja e re serbe tregohet posaçërisht e intersuar për mbishrimin SREBRENICA, që duket pas shpinës së zviceranit, që nga ana e tij e justifikon atë prani me një shpjegim përrallor dhe pjesërisht ekzotik, duke treguar se ka qenë malazez dhe se ka punuar në një film për të mbijetuarit e Srebrenicës.

«Nuk e harroj dot, shoqja ime e letrave, shkrimtarja ime e dashur serbe, fytyrën e nënës sime e cila kishte rënë në peshë, duke e ushqyer me qumësht motrën time të vogël ndërkohë ishim ngujuar në një fshat malor rrethuar nga ushtarët serbë. Një vepër monumentale e poshtërimit. E trishtimit. Nëna ime e re, e bekuar vetëm nga rrjedha e përrockës aty afër. Nga poemat e pashkruara. Nga letërsia që ia kishte mbathur. Drejt popujve paqësorë. Aty nuk kishte art. Kishte vdekje. Kishte gjak. Dhe kufoma njerëzish që i merrte lumi. E dashura ime, Radmila. A e ke dëgjuar ndonjëherë fishkëllimën e plumbit rrëzë veshit, jo, jo, tash. E kam fjalën kur ke qenë fëmijë. A e ke dëgjuar? Është e mahnitshme. Kur e kupton se nuk ta ka shpuar. Llapën. E Veshit».

Janë duke folur, sado që në mënyrë të qetuar, për Gjenocidin e Srebrenicës dhe Rudimlla nis një diskutim të gjallë, duke ngulmuar se ajo që ka ndodhur nuk është fare faj i serbëve, të cilët s’kanë pasur asnjë përgjegjësi, në të vërtetë. Ja ku kthehet historia me të kaluarën e saj që ta ngulfatë letërsinë. Sekmani s’di ç’të bnëjë më, nëse duhet të heshtë përballë atij përdhunimi të kujtesës, asaj fyerjeje të dhunshme dhe ta shpëtojë bashkëbisedimin e tyre, apo të flasë dhe ta thotë atë që e mendon, pavarësisht të gjithave. Në çka të bashkëpunohet pastaj?

Në një moment të caktuar autorja serbe sugjeron të shkruajnë për Srebrenicën: propozim që nuk pranohet. Më mirë të shkruajnë për pandeminë. Vendos të mbetet autor, të mos e shfaqë vuajtjen e tij si fëmijë i paintegruar. I braktisur në tmerrin e zhurmës së kallashnikovëve. Një ëndërrimtar mes plumbave. Me heshtjen e tij, zgjedh të mos e vrasë letërsinë.

Jo-nacionalizmi

Selmani nuk shfaq nacionalizma, duke u kufizuar të ofroj një dëshmi autentike, të pasër, të kristaltë, që rrëfen një vuajtje të pashlyeshme, pa u lëshuar në shprehjen patetike të dhimbjes. Autori vihet në një pozicion fortësisht gjykues, duke mos e bezdisur lexuesin, sado që i jep gjithë fuqinë e emocioneve dhe vërtetësinë e ngjarjeve.

Shprehja e tij është e ekuilibruar, edhe kur rrëfen për ndjenjën e hakmarrjes që i kaplon shqiptarët me vrer të paparë. Rrëfen, ndershmërisht, pakënaqësinë e tij me veprimet e turpshme të disa viteve më vonë, ku gratë serbe hidhen nga ballkonët për inat dhe ndëshkim. Përshkruan, me ndjenjën identike, Gjenocidin dhe dhunën ndaj një djaloshi rom, të kryer nga një grup të rinjsh shqiptarë, vetëm ngase kishte guxuar të fliste serbisht.

Shkrimtar, baba dhe bashkëshort

Në përditshmërinë e tij, Selmani është shkrimtar i dashuruar me letërsinë e lirë, në konflikt të përjetshëm me vetveten. Lufta e tij e brendshme, nga njëra anë, një autor pa pranga dhe nga ana tjetër, dëshira për të krijuar diçka të përjetshme që të mund të lërë shenjë. Një ide, kjo e fundit, nga e cila heq dorë pas lindjes së birit, Lirit. A do të mund të shkojnë krah për krahu Liria dhe suksesi? Lidhjet me të kaluarën, që e frenojnë të tashmen, a do të mund të vdaren ndonjëherë?

Është baba i këndshëm, që bashkëjeton me ndjesinë se është përditshmërisht i pavëmendshëm. Biri i tij ia ka ndryshuar ditët dhe tërë jetën. Kjo ka ndodhur për shkak të djalit apo të martesës? Të rrosh s’është e lehtë, mungojnë paratë (autorët nuk jetojnë vetëm nga librat) dhe grindjet me gruan janë të vazhdueshme. Një realitet, ky i martesës, nga i cili shkrimtari duket se ikën me gjakftohtësi, duke e pësuar disi tinëz magjinë e tij. është lidhja që e bën ta nxjerrë kokën ndjeshmërinë e tij më të ngritur dhe në njëfarë mënyre edhe shtrëngesat e së kaluarës.

Rindërtimi i vetvetes

Në këtë Baladë të buburrecit (titulli është nxjerrë nga një këngë e rock grupit Lindja), zë vend gjithë e bukura e dashurisë njerëzore, përbërë prej pranimit dhe mohimit, asaj urgjence të bashkëndarjes që përplaset me realitetin, me të vërtetën e një burri, atë të vërtetë të pashmangshme të historisë që e ka përjetuar. Nga këtu niset, nga rindërtimi i vështirë i vetvetes, nga shpirti i tij i dhunuar dhe nga ndërgjegjja që, nganjëherë, është e detyruar të lidhë pakt me përbindëshin. Është e gjallë vetëdija se nuk mund të shkoqë të tashmen nga e kaluara, të përditshmën nga dhuna e Historisë, me të cilën është e domosdoshme të qërohen hesapet gati se çdo ditë. Selmani është shkrimtar, e do letërsinë dhe nganjëherë është i gatshëm të nënshkruajë edhe kompromise, vetëm e vetëm që t’u lërë hapësirë bindieve të tij. Nganjëherë jo.

Në fund të fundit…

Selmani ka vënë bash gjithçka në këtë libër: e gjejmë luftën që e ka shënjuar një popull dhe historinë e tij, dashurinë që (mbase) shpëton gjithçka, kujtesën, e domosdoshme për rindërtimin e identitetit personal dhe të shoqërisë, shpesh të leskërosur nga nevojat njerëzore. Pastaj shpresën, mposhtjen, fitoren dhe mbi të gjitha të keqën e të jetuarit.

Balada e buburrecit është tekst që niset nga fundi i tragjedisë së mjerimit njerëzor derisa të arrijë te aftësia e ringjalljes, pavarësisht ballafaqimit të vazhdueshëm me të kaluarën. Autori rindërton atë që ka përjetuar, emocionet që e kanë shoqëruar, profilin e shpirtrave që e rrethojnë, me një shkrim bardh e zi, të prerë, të aftë të evidentojë tragjidicitetin e disa ngjarjeve dhe pozitivitetin vendimtar të të tjerëve, pa e lënë mbas mendsh pikëpamjen e tij mbi jetën, prej shpirti pastërsisht lirik.

/Marrë nga: https://albanialetteraria.it/recensione-ballata-dello-scarafaggio/

/Përkthimi: Gazeta Express