Avokati mbrojtës pretendon se Gruda s’i njeh personat që iu shkuan 2 milionët e Thesarit - Gazeta Express
string(87) "avokati-mbrojtes-pretendon-se-gruda-si-njeh-personat-qe-iu-shkuan-2-milionet-e-thesarit"

Gazeta Express

22/10/2020 15:02

Avokati mbrojtës pretendon se Gruda s’i njeh personat që iu shkuan 2 milionët e Thesarit

Gazeta Express

22/10/2020 15:02

Mbi dy milionë euro të shtetit janë zhdukur përmes transaksioneve bankare. Gjithë këto janë transferuar në konton e një kompanie me bazë në Llapushnik, pronarët e së cilës janë në arrati. E që këto para të kalojnë në xhirollogarinë e tyre dyshohet se ndihmoi zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Por, çka tha sot Gruda në Gjykatë?

Lidhur me këtë ka dhënë detaje për Express avokati i tij, Veton Rrecaj.

Lexo Edhe:

Sipas Rrecajt, Gruda sot ka deklaruar para Gjykatës, se një transaksion i tillë nuk është kryer nga kompjuteri i tij. 

“Klineti i im ka deklaruar vetëm të vërtetën. Ai nuk ka pas kurrgjë të bëj me këto dyshime. Klienti jem nuk punon i vetëm në atë zyre, por janë edhe 12 ose 13 persona dhe i bie në barrë të Prokurorisë me vërtetu nëse është bë ai transfer i mjeteve nga cili person dhe kush e ka prek kompjuterin. Në kohën e saktë kur është bë transaksioni, i mbrojturi im ka deklaruar në Gjykatë se nuk ka qenë e mundur që të kryhet një transaksion i tillë nga kompjuteri i tij”, ka thënë ai për Express.

Ndërkohë, për dy pronarët e firmës së cilës i janë tranferuar këto para, Gruda ka thënë se nuk i njeh fare këta persona.

Avokati mbrojtës ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës për caktimin e paraburgimit.

“Po thotë nuk i njeh ata që janë në kërkim. Nuk pajtohemi me vendimin e gjykatës në asnjë mënyrë, dhe do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit. Apeli besoj që ka kohë me i shiku shkresat dhe provat nëse ka në mënyrë të detajuar e jo shabllon dhe t’i caktohet masa e paraburgimit pa kurrfarë argumenti”, ka thënë Rrecaj për Express.

Ndryshe, përmes katër transaksioneve të ndryshme, 2 milionë e 77 mijë e 995 euro të shtetit të Kosovës janë transferuar më 9 tetor në kompaninë “LDA Group” Shpk, me bazë në Llapushnik të Drenasit.

Transferimin e gjithë këtyre parave në konton e kësaj kompanie, dyshohet se e mundësoi një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G., i cili është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit.

Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), është pronë e Valon Shalës, i cili sipas raportimit të REL është në arrati. Bashkë me të është raportuar se në arrati është edhe K.Sh., që po ashtu lidhet me këtë kompani.

“LDA Group” është regjistruar si biznes para një viti, më saktësisht më 21 gusht të vitit 2019.

Si aktivitet primar, kjo kompani ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa merret edhe me demolimin e objekteve, përgatitje të vendpunishtes e instalime elektrike.

Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës. Sipas Policisë, të dyshuarit duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milionë euro.

Policia ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, por nuk kanë gjetur asgjë. Ndërkohë, është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro.

Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport./Gazeta Express