Avokati i Popullit Gjykatës: Të gjenden “Travaux preparatories” për rastin e dekretit të Thaçit - Gazeta Express
string(92) "avokati-i-popullit-gjykates-te-gjenden-travaux-preparatories-per-rastin-e-dekretit-te-thacit"

Avokati i Popullit Gjykatës: Të gjenden “Travaux preparatories” për rastin e dekretit të Thaçit

Gazeta Express

13/05/2020 12:00

Përmes vendosjes së masës së përkohshme, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pezulluar dekretin e presidentit, Hashim Thaçi, përmes të cilit kishte nominuar Avdullah Hotin e LDK’së për kryeministër, shkruan Gazeta Express.

Në Kushtetuese lidhur me rastin, përveç partive politike e deputetëve, komente ka dorëzuar edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Lexo Edhe:

Jashri në komentin që ka dorëzuar ka vlerësuar se interpretimi që do të japë Kushtetuesja lidhur me rastin K0 72/120 është i një rëndësie të veçantë për rendin kushtetues në vend dhe  ka sugjeruar Gjykatën Kushtetuese që të marrë parasysh frymën Kushtetuese e cila është shfaqur përgjatë Punëve Përgatitore (Travaux preparatories) të Komisionit Kushtetues që ka hartuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Teksti i Kushtetutës që nga miratimi i saj ka një kuptim objektivisht të identifikueshëm dhe nuk ka ndryshuar me kalimin e kohës. Kushtetuta, duhet të shihet në qëllimin autentik të Komisionit për Hartimin e Kushtetutës për te përcaktuar se cila është fryma kushtetuese që ky Komision e ka pasqyruar në tekstin e saj.

Kërkesa K0 72/120 është ekskluzivisht e koncentruar në dispozita kushtetuese, për analizimin dhe interpretimin e të cilave Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar, sipas saktësimeve që i përmban Kapitulli VIII i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

 Duke e konsideruar të rëndësisë së veçantë për rendin kushtetues në vend interpretimin që Gjykata Kushtetuese do ta jap lidhur me ketë rast, Avokati i Popullit thekson vlerën qe ka autenticiteti i frymës qe përcjell Kushtetuta e vendit, i shfaqur nëpërmjet Punëve përgatitore [Travaux preparatoires] të Komisionit Kushtetues i cili ka punuar në hartimin e saj”, thuhet në komentin që ka dorëzuar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Ai ka thënë se dokumentacioni i punëve përgatitore të hartimit të Kushtetutës gjenden në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

”Në ketë drejtim, Avokati i Popullit dëshiron të rikujtojë se dosjet e punëve përgatitore të hartimit te Kushtetutës ndodhen ne Agjencinë Shtetërore te Arkivave te Kosovës”, thuhet në fund të komentit.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 kur kishte shqyrtuar kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për rastin K0 103/14 kishte kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që t’i dërgoheshin  (Travaux preparatoires), meqë kishte konstatuar se dispozitat kushtetuese lidhur me Nenin 84.14 dhe Nenin 95 janë të paqarta. Megjithatë Sekretari i Kuvendit më 20 qershor të vitit 2014 në përgjigjen dërguar Kushtetueses kishte thënë se nuk i kanë dosjet e punëve përgatitore apo (Travaux preparatories)

Kushtetuesja edhe në vitin 2011 kur kishte shqyrtuar rastin KO 98/11 kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i dërgoheshin dosjet e punëve përgatitore të Komisionit që kishte hartuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por as atëherë s’kishte marrë kurrfarë përgjigje./Express/