Avokati i angazhuar në Hagë, anulohet seanca e Apelit në rastin e të dënuarve për dallavere me prona


Gazeta Express
19 Nëntor 2019 14:50

E paraparë të mbahej të martën, seanca e Gjykatës së Apelit në rastin e të dënuarve për dallavere me prona, Jahja Imami, Ismet Kryeziu dhe Shërbim Berisha është shtyrë për një datë tjetër.

Shkak i mosmbajtjes së seancës ishte kërkesa që mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Kryeziu, avokati Nikë Shala, i kishte bërë gjykatës për shtyrjen e seancës.

Gjykatësja raportuese për këtë rast, Hava Haliti, për “Betimi për Drejtësi” tha se avokati Shala përmes një kërkese drejtuar Apelit, kishte kërkuar shtyrjen e seancës pasi që kishte obligime në Hagë, përkatësisht në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të shqyrtoheshin ankesat e palëve kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 20 mars 2019, e kishte dënuar me burgim ish- referentin në Gjykatën e Pejës, Jahja Imami, drejtorin e Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu, si dhe Shërbim Berishën, kurse e kishte liruar nga akuza të pandehurën Valbona Naka.

Kjo gjykatë, të akuzuarin Imami e kishte shpallur fajtor për marrje të ryshfetit, duke e dënuar me dy vjet burgim, kurse për shpërdorim të pozitës zyrtare e kishte dënuar me një vit burgim.

Ndaj tij, ishte shqiptuar dënimin unik prej dy vjet e gjashtë muaj, kurse ishte refuzuar akuza për dy vepra penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, për shkak të parashkrimit absolut.

I akuzuari Kryeziu, ishte dënuar me dy vjet burgim, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuari Shërbim Berisha, ishte dënuar me gjashtë muaj për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, kurse një vit për veprën penale të mashtrimit.

Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej një viti e dy muaj.

Ndërkaq, e akuzuara Valbona Naka, ishte liruar nga akuza në mungesë të provave, pasi sipas gjykatës së shkallës së parë, nuk është vërtetuar se është kryer vepra penale.

Të dënuarit ishin detyruar që të paguajnë shpenzimet e procedurës penale si dhe në emër të paushallit secili veç e veç 300 euro brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit

Në këtë rast, akuzohej edhe Viçenc Komanit, mirëpo ndaj tij më 11 prill të vitit 2018, ishte veçuar procedura ndaj tij, pasi që ai kishte munguar në atë seancë.

Dy ditë pasi që i akuzuari për keqpërdorim të besimit, Fatmir Muriqi e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, më 13 tetor 2017,  Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte dënuar atë me 3500 euro gjobë.

Këtë gjobë, ai ishte obliguar ta paguante brenda 15 ditësh, në të kundërtën ky dënim do t’i kthehet në dënim me burg.

Gjithashtu, sipas aktgjykimit, Muriqi, obligohej që të dëmtuarve Sllavisha Millutin dhe Branislava Vukanoviq, t’ua kompensojë dëmin e shkaktuar në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i pandehuri Jahja Imami, në bashkim real ka kryer tri vepra penale si “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Imami akuzohet se në cilësinë e referentit për vërtetime të kontratave në Gjykatën Komunale të Pejës, në fillim të vitit 2012,  ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare dukë marrë ryshfet dhe falsifikuar dokumente lidhur me disa ngastra kadastrale në Komunën e Gjakovës.

Ismet Kryeziu, akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka keqpërdorur autoritetin zyrtar, pasi që i njëjti dyshohet se me dijeni ka lejuar ndërrimin e ngastrave kadastrale.

Valbona Naka, akuzohet se në cilësinë e udhëheqëses për çështje juridike në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me bartjen e paluajtshmërisë, si dhe ka ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte tek Ismet Kryeziu për të bërë bartjen e paluajtshmërisë.

Kurse, Shërbim Berisha, sipas aktakuzës, gjatë muajit mars të vitit 2011, në zyrën kadastrale në Komunën e Deçanit, ka bërë kërkesë për regjistrim të paluajtshmërisë, si dhe ka prezantuar aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata Komunale në Pejë, për ngastër kadastrale të cilën ka pasur qëllim ta bart në emër të Milivoje Qosoviq.

Berisha, sipas ankesës ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, përmes të pandehurit Ismet Kryeziu, t’i bart këto ngastra në emër të Milivoje Qosoviq. Sipas aktakuzës, Kryeziu, duke shfuqizuar aktvendimin e Drejtorisë Komunale për Kadastër dhe Gjeodezi të Deçanit, ka obliguar këtë drejtori që të regjistrojë të drejtën e pronës në emër të Milivoje Qosoviq.

Shërbim Berisha i kishte vënë në lajthim të dëmtuarit Ngadhnjim Ukëhaxha dhe Jeton Aliçkaj, pasi ngastrat kadastrale në sipërfaqe prej 8.81,92 ha, në Rastavicë të Deçanit, në emër të Milivoje Qosoviq, ia kishte shitur të dëmtarëve me aktgjykim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga Gjykata komunale në Pejë, në janar të vitit 2011, në vlerë prej 80.000 euro.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gjithashtu, Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrim”. Sipas aktakuzës, me qëllim që t’i sjell vetes përfitim të kundërligjshëm, i ka vënë në lajthim Ngadhnjim Ukhaxhaj dhe Jeton Aliçkaj, duke u shitur ngastra kadastrale prej shumës 80.000 euro, ngastra të bartura në bazë të dokumentit të falsifikuar, të cilat i ka bartur në emër të Milivoje Qosoviq.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngarkon të akuzuarin Viçenc Komani, për veprat penale “dhënie ryshfeti” dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”. Prokuroria pretendon se gjatë viteve 2011-2012 i akuzuari, i ka dhënë ryshfet Jahja Imamit, referent për vërtetime të kontratave në ish-Gjykatën Komunale në Pejë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Komani ka dhënë dy herë nga 1.000 euro, me qëllim vërtetimin e kontratave të shitblerjes për ngastrat kadastrale në Komunën e Gjakovës, kontrata të falsifikuara nga vet i pandehuri Komani.

Sipas aktakuzës, pas vërtetimit të kontratave fiktive nga i akuzuari Viçenc Komani, të njëjtat i ka përdorur dhe i ka dorëzuar pranë shërbimit kadastral në Komunën e Gjakovës. Kur aty nuk ka mundur të bëjë bartjen në librat kadastral, i njëjti ka arritur që në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, të sigurojë aktvendimin për lejimin e regjistrimit të kësaj ngastre kadastrale, ashtu siç figuron në kontratën e falsifikuar.

Ndërsa, aktakuzën ndaj Fatmir Muriqit e kishte ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, me anë të së cilës ka pretenduar se i njëjti nuk ka qenë i autorizuar të përpilojë kontratën mbi shitblerjen, e aq më pak t’i shesë parcelat e blerësve. Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Muriqi kishte keqpërdorur autorizimin e tij, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 100.000,00 euro.

Ndryshe, pjesë e kësaj aktakuze është edhe Jahja Imami, i cili sipas prokurorisë, duke qenë në pozitën e referentit për vërtetime të kontratave të ish-Gjykatës së Qarkut në Pejë, i ka mundësuar të akuzuarit Fatmir Muriqi, përfitimin e 100.000.00 eurove, duke vërtetuar këtë kontratë pa e lexuar fare autorizimin.

Gjykata Themelore në Pejë, më 10 prill 2016, kishte marr aktvendim për transferimin e kësaj lënde në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Një gjë e tillë ka ndodhur me arsyetimin se i akuzuari Imami ka qenë punëtor shumëvjeçar i Gjykatës në Pejë, ndërsa për këtë arsye kjo e fundit nuk mund të procedoi tutje në këtë çështje penale.

Te fundit


Kthehu lart